Tragjedia në spitalin modular në Tetovë, Alsat mëson se ka elemente për ndjekje penale

Tragjedia në spitalin modular në Tetovë, Alsat mëson se ka elemente për ndjekje penale

Gazetar: Igor Stefanovski

Procedura parahetimore për shpërthimin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë, tregon elemente të ndjekjes penale, mëson Alsat nga burimet brenda Prokurorisë.

Ky informacion nga Prokuroria nuk konfirmohet zyrtarisht.

Sipas informacioneve të Alsat, pjesa më e madhe e provave të mbledhura tashmë janë analizuar dhe duhet t’i paraqiten Komisionit në Prokurorinë Publike, i cili duhet të vendosë se çfarë epilogu ligjor do të ketë zjarri në spitalin modular.

“Prokurorët publikë pas vërtetimit të plotë të fakteve të rastit do të marrin vendim cili do t’i raportohet menjëherë opinionit”, thonw nga Prokuroria Publike.

Pesë prokurorët nga Tetova dhe Shkupi provat për rastin do t’i prezantojnë para katër prokurorëve të lartë publik, si dhe para kreut të prokurorisë, Ljubomir Joveski. Komisioni mund të urdhërojë prokurorët të hapin procedurë hetimore, të hetojnë veprime të caktuara, por mund të sugjerojnë edhe mbylljen e çështjes.

Komisioni i prokurorëve do të ketë kujdes me kualifikimin ligjor, duke qenë se deri më tani asnjë organ hetimor në vend nuk ka treguar se dikush është fajtor për zjarrin.

Alsat ka bërë të ditur tashmë se raporti i ekspertëve gjermanë ka dalë me pretendime të njëjta me atë të krim teknikës në Ministrinë e Brendshme. Kjo do të thotë se shkaku i zjarrit ishte një kabllo zgjatuese.

Vitin e kaluar, natën e 8 shtatorit, humbën jetën 14 persona, 12 prej tyre pacientë me kovid. Krerët e atëhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë Venko Filipçe dhe Ilir Hasani ofruan dorëheqje, por kryeministri i atëhershëm Zaev nuk i pranoi. Dy drejtorët e Klinikës së Tetovës u ndërruan në fund të vitit të kaluar./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button