Tramp përmes një urdhri ekzekutiv fali të akuzuarit e 6 janarit
Tramp përmes një urdhri ekzekutiv fali të akuzuarit e 6 janarit

Gazetare: Semra Musai
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, në ditën e parë të tij në detyrë përmes një urdhëri ekzekutiv fali 1,500 persona të dënuar për sulmin e 6 janarit të vitit 2021 ndaj Kapitolit. Gjatë një ceremonie të nënshkrimit të urdhrave ekzekutivë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump tha se disa i ka falur plotësisht ndërsa ka ulur dënimet për disa të tjerë. Udhëheqësit e organizatave të ekstremit të djathtë “Proud Boys” dhe “Oath Keepers” janë ndër ata që po vuajnë dënime me burg për rolin e tyre në veprimet e dhunshme në Kapitol.
“Falje e plotë. Kemi rreth gjashtë ulje dënimesh atje po kryejmë kërkime të mëtejshme. Shpresojmë që të dalin sonte. Po e presim këtë. Përafërsisht 1500 persona, gjashtë ulje dënimesh”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.
Trump firmosi urdhra ekzekutivë mbi çështje të ndryshme, përfshirë emigracionin. Shpalli emergjencë kombëtare në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, duke etiketuar kartelet e drogës si grupe terroriste. Tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, urdhrin që politika e Shteteve të Bashkuara të njohin dy gjini biologjikisht të dallueshme: mashkull dhe femër. Urdhra të tjerë revokuan politikat e administratës Biden mbi inteligjencën artificiale dhe automjetet elektrike. Ai gjithashtu urdhëroi punonjësit e qeverisë të kthehen në zyrë, në vend që të punojnë nga shtëpia. Trump nënshkroi edhe dokumente për të krijuar një “Departament për Efikasitetin Qeveritar”, një bord këshillimor i jashtëm i kryesuar nga miliarderi Elon Musk, që synon të kufizojë pjesë të mëdha të shpenzimeve qeveritare. Ndërkaq Senati Amerikan e ka miratuar unanimisht Marco Rubion si sekretar të Shtetit, duke e vendosur ish senatorin në vijën e parë të diplomacisë së presidentit të ri, Donald Trump. /Alsat.mk