Transparenca/ Komuna në nivel jo të lartë
Transparenca/ Komuna në nivel jo të lartë
Gazetare: Fatlume Dervishi
Autoritetet lokale nuk janë ende në një nivel të lartë për sa i përket transparencës dhe llogaridhënies së tyre, dhe nevojiten përpjekje shtesë për të ofruar të dhëna në kohë mbi funksionimin e tyre dhe shërbimet që u ofrojnë qytetarëve.
Ky është konstatimi dhe rekomandimi kryesor i “Transparency International” për transparencën e tetë komunave gjatë vitit 2025. Ky vlerësim pilot përfshiu tetë komunat më të mëdha nga secili rajon në Maqedoni; Aerodromit, Manastirit, Velesit, Kumanovës, Ohrit, Strumicës, Tetovës dhe Shtipit.
Komuna me vlerësimin më të lartë është Manastiri me 67 pikë, e ndjekur nga Velesi me 60, Shtipi me 55, Strumica me 54, Kumanova me 51 pikë, Aerodromi me 49, Tetova me 43 pikë dhe Ohri me 39 pikë.
Analiza konstaton se komunat publikojnë raporte tremujore por asnjë nga komunat nuk ka raporte mujore, siç detyrohen me ndryshimet e Ligjit për buxhetin.
Komunat po ashtu publikojnë vendimet e Këshillit por nuk publikohen aktet para shqyrtimit në këshill. Gjithashtu publikohen votat por nuk ekziston praktika e publikimit të votave veç e veç për secilin këshilltar.
Një numër i madh komunash nuk kanë qendra shërbimesh ose sportele ky qytetarët mund të marrin informacione ose të paraqesin parregullsi e korrupsion, ndërsa ato që i kanë, nuk janë të organizuara për të qenë të dobishme.
Komuna më e vlerësuar për qasje në informacione me karakter publik është komuna e Manastirit me 7 pikë, e ndjekur nga komunat e Aerodromit dhe Strumicës me 6 pikë.
Për punët e ndërmarrjeve komunale, faqet e internetit të komunave por edhe të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike në kuadër të komunave, janë me informacione të vjetra ose nuk kanë fare informacione rreth vendimeve, emërimeve dhe aktiviteteve të tyre. Transparenca rreth tyre është në një nivel shumë të ulët.
Në fushën e prokurimit publik, të gjitha komunat, përveç komunës së Aerodromit, u vlerësuan me rezultatin më të lartë.
Analiza e “Transparency International” përmban rekomandime se si komunat duhet të rrisin transparencën e tyre./ Alsat.mk








