Transportuesit privat kërcënojnë me bllokadë të Shkupit
Transportuesit privat kërcënojnë me bllokadë të Shkupit
Gazetar: Avni Tahiri
Shkupi do të bllokohet sërish në mënyrë totale nga dita e hënë. Kështu kërcënuan transportuesit privatë të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik të cilët prej disa muajsh kërkojnë rritje të pagesës për kilometër.
“Pasi u konsultuam me kolegët, vendosem që nëse deri ditën e hënë nuk ka zgjidhje, ne kërkojmë ndjesë por e kemi patjetër të fillojmë me bllokada dhe greva në rrugë. Ku do të bllokoni? Në parim i gjithë Shkupi do të bllokohet. Ne nuk transportojmë dhe i gjithë Shkupi është në kaos pasi shfrytëzohen veturat. Mjafton një rrugë të bllokojmë dhe i gjithë Shkupi do të bllokohet”, deklaroi Vllatko Todorovski – Transportues privat.
Kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska dhe kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski, përmes njoftimeve për media një ditë më parë shkëmbyen akuza të ndërsjella se kush është përgjegjës për lënien e kërkesës së transportuesve privatë, jashtë rendit të ditës. Nga ana tjetër, ministri i pushtetit vendor Zllatko Perinski tha se gjendja me transportin në Shkup nuk është krizë, por është katastrofë.
“Transporti publik brenda qytetit është përgjegjësi ekskluzive e qytetit, këtu qeveria nuk ka asnjë ndërhyrje, përgjegjësia është vetëm e qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjes së transportit publik”, tha Zllatko Perinski, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Perinski shtoi se qeveria mund të ndërhyjë për të shmangur situatën, por kjo është thjesht shërim i plagës, jo zgjidhje e problemit. /Alsat.mk