Shqiptarët anë e mbanë po festojnë sot 112 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë
Shqiptarët anë e mbanë po festojnë sot 112 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë
Gazetare: Xhesika Sallahi
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë është pritur me festime, gëzim dhe krenari. Teksa sot, e gjithë Shqipëria dhe trevat shqiptare janë mbuluar nga flamujt kuq e zi. Ceremonia zyrtare u zhvillua në Sheshin e Flamurit në Vlorë, me prezencën e krerëve më të lartë të Shqipërisë dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në nder të ditës së Pavarësisë, veteranët e UÇK-së marshuan në pikën kufitare Morinë, në mënyrë simbolike me këngën për komandantin legjendar Adem Jasharin.
Mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora u mblodhën në Tiranë në kuadër të “Paradës Kuqezi”. Atmosfera festive u pasurua nga pjesëmarrësit që paraqitën trashëgiminë e tyre kulturore përmes këngëve popullore, instrumenteve tradicionale dhe kostumeve karakteristike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës.
Parada nisi nga sheshi “Nënë Tereza” me grupet e ansamblet që përshkuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Parada kulmoi me ngritjen e flamurit kuqezi. Një nga momentet emocionuese të paradës së sotme për mijëra shqiptarët ishte recitimi i poezisë së Gjergj Fishtës “Shqypnia e lirë,” nga aktori i njohur Reshat Arbana. /Alsat.mk