Tre mjek paditen për gruan shtatzënë
Gazetar: Adnan Qahili
Prokuroria themelore publike e Strugës ka ngritur aktakuzë kundër tre mjekëve- specialist gjinekolog-akusher në Spitalin e Strugës, të cilët dyshohen se i kanë dhënë ndihmë joadekuate mjekësore pacientes Jelldiz Veaposka nga Dibra, rasti i cili ndodhi para dy vitesh. Tre mjekët akuzohen për vepër të rëndë kundër shëndetit sipas nenit 217 dhe 207 të Kodit Penal, shkruan Alsat.
“Lehona është pranuar me datë 27.08.2020 për lindje në repartin gjinekologjik në Strugë, pasi ishte në javën e 40-të të shtatzënisë. Ajo është pritur nga i pandehuri i parë M.H. i cili e ka trajtuar si paciente gjatë gjithë shtatzënisë dhe ka vendosur që lindja të bëhet me prerje cezariane. I pandehuri i dytë ka ndihmuar në operacion, por gjatë operacionit kanë dëmtuar arterien e majtë të veshkës”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Strugë
Sipas hetimit të dal nga ekspertiza mjeko ligjore, gjatë lindjes cezariane pacientes Jelldiz i është prerë gabimisht arteria e veshkës, por në pamundësi të detektojnë, kanë hequr edhe organet e shëndosha riprodhuese të pacientes. Por, gjakderdhja nuk ka ndaluar dhe asaj i është dhënë terapi e gabuar, që ia ka përkeqësuar edhe më tepër gjendjen shëndetësore, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.
“I pandehuri i parë, me ndihmën e të pandehurit të tretë, ka vendosur që të kryejë një operacion të ri për parandalimin e gjakderdhjes, heqjen e mitrës dhe vezores së majtë, ndonëse nuk ka pasur ndryshime apo lëndime në këto organe. Pasi gjakderdhja nuk u ndal edhe pas mbylljes së pacientit, ata vendosën për një operacion tjetër dhe kirurgët zbuluan se gjakderdhja ishte për shkak të dëmtimit të arteries së veshkës të shkaktuar nga operacioni cezarian. Për shkak të pamundësisë për të rikuperuar arterien, është dashur të fashohet dhe të hiqet veshka e majtë për t’i shpëtuar jetën pacientes së dëmtuar”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Strugë
Për pesë ditë qëndrim në spital ajo ka pasur gjakderdhje të brendshme derisa ka rënë në koma. Dhe vetëm pas përkeqësimit të gjendjes, spitali ka vendosur transferimin e saj në Klinikën Shtetërore “Nënë Tereza” në Shkup. Sipas veprës penale, të akuzuarve u rrezikohet dënimi me burg nga 1 deri në 3 vjet heqje lire, të cilat parashihen në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut. /Alsat.mk








