Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë, kanë bërë të ditur autoritetet dhe Ambasada e Kosovës në Austri. Sipas njoftimit fillestar të Ambasadës, aksidenti ka ndodhur gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja. Ambasada e Kosovës në Austri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të koordinuar procedurat e mëtejme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar duke theksuar se kjo tragjedi ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar. Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu tronditjen për ngjarjen dhe theksoi se institucionet janë në koordinim për t’u dalë në ndihmë familjeve të viktimave. Autoritetet austriake nuk kanë dhënë ende detaje të plota për shkaqet e shembjes së konstruksionit, ndërsa hetimet për rastin pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe kushtet e sigurisë në punishte.








