Trembet politika në Pakistan, sulmi kamikaz para zgjedhjeve merr 44 jetë njerëzish

Trembet politika në Pakistan, sulmi kamikaz para zgjedhjeve merr 44 jetë njerëzish

Një shpërthim kamikaz gjatë një eventi të partisë Jamiat Ulema-e-Islam, që bën pjesë në qeverinë e koalicionit në Pakistan, ka lënë pas 44 viktima dhe të paktën 200 të plagosur.

Mbështetësit e liderit të kësaj partie, Maulana Fazlur Rehman ishin mbledhur në tubimin politik në veriperëndim të Pakistanit. Shpërthimi ndodhi në periferi të Khar, kryeqyteti i distriktit Bajour në Khyber Pakhtunkhwa.

Mediat vendase raportojnë se mes të lënduarve ka fëmijë, ndërsa ata që janë plagosur rëndë u transportuan me avion në një spital në kryeqytetin e provincës, Peshawar.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan gjithashtu se njerëzit po futeshin në ambulanca dhe zona e shpërthimit ishte e rrethuar, me urgjencë të shpallur në spitalet lokale.

Sakaq, një nga të vdekurit raportohet të jetë Maulana Ziaullah, udhëheqësi lokal i partisë Jamiat Ulema Islam-Fazl.

Mes dëshmitarëve që përshkruan momentet e tmerrit është 45-vjeçari Adam Khan, i cili u godit nga copa predhash në këmbë dhe në duar. “Kishte pluhur dhe tym përreth“, tha ai.

Ndërkohë, Mohammad Wali tha se po dëgjonte një folës që i drejtohej turmës kur ndodhi shpërthimi.

“Isha pranë shpërndarësit të ujit për të marrë një gotë kur bomba shpërtheu duke më hedhur në tokë. Ne erdhëm në takim me entuziazëm, por përfunduam në spital duke parë të plagosur që qanin”, tha ai.

Liderët e Pakistanit ‘ndihen të kërcënuar’

Gazetari pakistanez Zahir Shah Sherazi tha për Sky News se shpërthimi ishte “një mesazh shumë negativ” ndaj çdo partie që do të zhvillojë aktivitete për fushatën elektorale në javët dhe muajt e ardhshëm.

“Ata ndihen të kërcënuar”, tha ai, referuar liderëve të Pakistanit, të cilët do të garojnë në zgjedhje brenda 60 ditëve nga shpërndarja e asamblesë kombëtare të vendit më 13 gusht.

Kryeministri Shabaz Sharif e dënoi sulmin duke e quajtur një akt kundër sistemit demokratik. Sharif tha se kishte folur me Rehman, i cili ka bërë thirrje për një hetim mbi sulmin.

“Ata që janë përgjegjës do të identifikohen dhe ndëshkohen”, shtoi Sharif.

Ndërkohë, Imran Khan, i cili dëshiron të kthehet në pushtet, tha se Pakistani “nuk mund të përballojë një valë tjetër terrorizmi“.

“Ata që janë në pushtet duhet të zhvendosin fokusin e tyre nga makineria politike te përpjekjet dhe burimet e shtetit për të luftuar terrorizmin“, shkroi ai në X (Twitter).

Sakaq, mediat shkruajnë se vetë Rehman nuk ishte i pranishëm në tubimin ku ndodhi shpërthimi.

Partia e tij islamike është pjesë e qeverisë së koalicionit të Pakistanit dhe ai gjithashtu udhëheq Lëvizjen Demokratike të Pakistanit, e cila bashkoi partitë opozitare kundër kryeministrit të atëhershëm Imran Khan.

Grupi u formua në shtator 2020 në një përpjekje për të rrëzuar Khan, duke ia dalë mbanë me një votë mosbesimi vitin e kaluar.

LEXO EDHE:

Back to top button