Tubimet politike masive rrezik për një vale të re të virusit!

Gjahu për vota mund të na kthej në një skenar të vjeshtës së kaluar me situatën e pandemisë. Fushata për zgjedhjet lokale ka bërë që të gjitha partitë politike dhe listat e pavarura të mos kursehen nga tubimet masive në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Në shumicën prej tyre nuk respektohet asnjë masë anti kovid. I pyetur se përse ai dhe kolegët e tij në tubime nuk mbajnë maskë, ministri i shëndetësisë Filipçe iu shmang përgjigjes por tha se masat duhet të respektohen nga të gjithë dhe se është e vështirë të kontrollohen turmat në ambient të hapur.

Kudo që ka hyrje-dalje do të duhet të kërkohet certifikata. Është vështirë të organizohet në vendet ku tubohen qytetarët në ambiente të hapura, por pajtohem dhe që sot do të gjej një mënyrë të ju sugjeroj të gjithëve partive politike ta zbatojnë të njëjtën -tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Epidemiologët alarmojnë se tubimet e qytetarëve mund të shkaktojnë valë të re të virusit, sidomos kur vjeshta sjell edhe gripin stinor. Ish kreu i Qendrës së Shëndetit Publik në Shkup, Aleksandar Stojanov, tha se kjo valë mund të jetë edhe më e frikshme kur vetëm 35% e popullsisë është plotësisht e imunizuar. Epidemiologu në pension bën thirrje që qytetarët të distancohen nga këto tubime masive.

Definitivisht çdo tubim mbart rrezik, sikurse tubimet e partive politike ashtu edhe mbledhjet tjera paraqesin rrezik potencial, por që të ulet ky rrezik njerëzit duhet të mbajnë distancë dhe të bartin maska. Askush nuk bartë. Problemi është që verës nuk u vaksinuam mjaftueshëm, tani do ti shohim pasojat. Verës duhet të arrinim 80% vaksinimin që dimrit të rrinim rehat sikur në tubimet parazgjedhore, ashtu edhe në manifestimin e Vitit të Ri apo dasmave – u shpreh Aleksandar Stojanov, Epidemiolog.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore, vdekshmëria mbetet e lartë në vend. Duke krahasuar për kokë banori, vendi renditet në top-10 e vendeve në Evropë për vdekje nga virusi korona. Megjithëse numri i rasteve të reja vazhdon të mbetet konstant, kreu i shëndetësisë tha se nuk mendohet për masa të reja restriktive për shkak se kapacitete spitalore janë gjysmë të zbrazëta. Aktualisht, vetëm 580 pacientë me kovid janë duke u kuruar nëpër spitalet e vendit.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button