Tulipani shqiptar që mori statusin “monument natyre”

Tulipani shqiptar që mori statusin “monument natyre”

“Tulipani Shqiptar” që rritet në Kukës zyrtarisht mori statusin monument natyre. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës, Lefter Gjana, thotë se zona ku rritet tulipani do të ketë një status mbrojtje e cila do i krijojë kushte të mëtejshme bimës për zhvillim dhe ruajtje si dhe do të ndihmojë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së zonës.

Drejtori Gjana ndër të tjera tha se tulipani do të ketë monitorim të vazhdueshëm, sidomos në periudhën e lulëzimit.

“Tulipa Albanica” është zbuluar në vitin 2003, në zonën e Kolsh-Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, nga biologu Besnik Hallaçi, ish-drejtor i ADZM Kukës. Biologut kuksian, i cili ka ndërruar jetë tre vite më parë si pasojë e Covid-19, iu desh një punë studimore 10-vjeçare për procedurën e autenticitetit të tulipanit shqiptar, i certifikuar nga Federata Botërore e Florës dhe Faunës dhe të emërtuar “Tulipa Albanica”.

“Tulipani Shqiptar” ndodhet në Kukës, në luginën e Drinit të Zi, në një lartësi mbi 500-800 metra mbi nivelin e detit. Bashkia e Kukësit në vitin 2020 e shpalli zonë të mbojtur sipërfaqen prej 35,5ha në të cilën ndodhet ky habitat me dy lloj bimësh, tulipani i kuq dhe i verdhë.

Me zbulimin e tij, tulipani është bërë emblema zyrtare e Stemës në Qarkun e Kukësit.

LEXO EDHE:

Back to top button