U shënuan 13 vite marrëdhënie diplomatike me Kosovën, mbillen 13 fidane në Çair

U shënuan 13 vite marrëdhënie diplomatike me Kosovën, mbillen 13 fidane në Çair

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës, Florian Qehaja, në parkun e Çairit mbollën 13 fidanë me rastin e 13 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Maqedonisë së Kosovës.

Duke iu falënderuar Ambasadorit Qehaja për iniciativën, Osmani theksoi se ngjarja në mënyrë simbolike i pasqyron marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë së mirë dhe miqësinë tradicionale mes dy shteteve.

“Shpesh e përsëris se Prishtina dhe Shkupi janë kryeqytetet më të afërta në Ballkan, duke simbolizuar kështu marrëdhëniet jashtëzakonisht të ngushta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, por edhe lidhjet e ngushta mes qytetarëve tanë”, theksoi Osmani. Njëkohësisht, thekson Osmani, kjo iniciativë është një mundësi e mirë për t’u fokusuar në agjendën e gjelbër, e cila është një nga prioritetet e politikës së jashtme të vendit.

Ambasadori Qehaja gjithashtu i theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke shtuar se është krenar që si Ambasador do të ketë mundësinë t’i forcojë ato në periudhën në vijim.

“Me Maqedoninë e Veriut kemi arritur nivel të lartë të marrëdhënieve – bashkëpunim të shkëlqyer, i cili në periudhën e ardhshme, jam i bindur se do të forcohet edhe më shumë”, theksoi Ambasadori Qehaja dhe falënderoi për mbështetjen në procesin integrues dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatat ndërkombëtare.

Në ngjarje morën pjesë personalitete dhe intelektualë të shquar, të cilët japin një kontribut të rëndësishëm në kultivimin e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button