Udhëtimi i nëpunësve si gazetarë, ASH-ja akuzon Qeverinë për krim dhe keqpërdorim

Udhëtimi i nëpunësve si gazetarë, ASH-ja akuzon Qeverinë për krim dhe keqpërdorim

Gazetar: Mefail Ismaili

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët Halil Snopçe kërkoi llogari nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, pse heshti për skandalin ku gjashtë të punësuar të Qeverisë kanë udhëtuar si gazetarë në Bullgari, shkruan Alsat.

Në seancën për pyetje të deputetëve, deputeti Snopçe kërkoi nga Qeveria të dëshmojë se nëpunësit nuk kanë udhëtuar si gazetarë.

“Nëse thoni se kanë udhëtuar si pjesë e shërbimeve dhe jo si gazetar, pse nuk ka vendim të Qeverisë se janë si pjesë e logjistikës dhe si staf i organizimit, por vendimi është që të udhëtojnë si gazetarë… Ju kujtoj se shëtitja nëpër hotele luksoze në kurriz të qytetarëve dhe duke përdorur profesionin e gazetarisë është krim dhe keqpërdorim… Ju kisha lutur, nëse e posedoni dokumentin e seancës së katërt të qeverisë ku taksativisht përmendet se nuk kanë udhëtuar si gazetar, sepse unë posedoj dokumentin e njëjtë ku shkruhet diçka tjetër, e jo ajo që thuhet në përgjigjen tuaj”, deklaroi Halil Snopçe, Deputet i ASH-së.

Pas kërkesës së deputetit Snopçe, kryeministrit Dimitar Kovaçevski, nuk publikoi dokument me të cilin dëshmon se nëpunësit e Qeverisë kanë udhëtuar si pjesë e stafit organizativ, por tha se është interpretuar me gabim vendimi i seancës së Qeverisë.

“Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta obligohet që t’i ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme dhe koordinimin për vendosjen dhe transportin e gazetarëve… Nga këtu del se ata gjashtë të punësuar në shërbim, siç theksoni në pyetjen tuaj, në ngjarjen në Sofje kanë marrë pjesë për të kryer detyrat e punës, organizim dhe mbështetje të aktiviteteve që dalin nga vendimi i Qeverisë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Megjithatë në vendimin e Qeverisë të miratuar në seancën e katërt, thuhet qarrtë se:

“Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, ti ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme dhe koordinimin për vendosjen dhe transportin e gazetarëve që do të marrin pjesë dhe do të raportojnë në seancën e përbashkët ndërqeveritare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, të mbulojë shpenzimet për udhëtim dhe vendosjen në hotel për gazetarët, si dhe të sigurojë teste PCR pa pagesë”, shkruan në Procesverbalin e seancës së 4-t të Qeverisë.

Në këtë vendim të Qeverisë askund nuk theksohet edhe nevoja për vendosjen e nëpunësve të Qeverisë. Ndërsa në dokumentin ku kërkohet rezervimi i gjashtë dhomave për gjashtë gazetarë figurojnë emrat e të punësuarve në Shërbimin për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë mes të cilëve edhe emri i Drejtorit të shërbimit Pece Mirçevski.

Alsat siguroi edhe dokumente të cilat vërtetojnë se të punësuarit e Qeverisë deri në Sofje kanë udhëtuar me automjete zyrtare të Qeverisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button