Uji i ndotur në Gostivar, ministri i Shëndetësisë i painformuar për rezultatet e Qendrës së Shëndetit Publik

Gazetar: Suad Bajrami

Ndonëse drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari e konfirmoi, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski nuk është i informuar se Qendra për Shëndet Publik në Gostivar ka dhënë leje për përdorimin e ujit për pije, disa ditë përpara se të paraqiten rastet e para të qytetarëve me simptoma helmimi.

“Unë nuk jam i sigurt se Qendra për Shëndet Publik ka dhënë informatë të tillë. Dje drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari e konfirmoi këtë? Unë pres që të gjitha mostrat e marra këtë vit, të dorëzohen në Ministrinë e Shëndetësisë. Është dërguar kërkesë zyrtare deri te Qendra për Shëndet Publik t’i dërgojë të gjitha mostrat me lokacionet ku janë marrë. Sapo të verifikohen informatat, do të mundem të komentoj. Gjithçka varet se kur saktë është marrë dhe ku saktë është marrë si mostër”, deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.

Situata mbetet e paqartë pasi sipas Prokurorisë ujësjellësi është ndotur me fekale në periudhën nga 25 qershor deri më 16 korrik nga disa pompa uji janë vendosur me urdhër nga menaxhmenti i Ujësjellësit të Gostivarit, megjithatë pikërisht derisa këto pompa kanë qenë në funksion dhe kanë ndotur ujin, Qendra për Shëndet Publik ka informuar dy herë autoritetet se uji në Gostivar është i rregullt. Ndërsa për t’u përdorur për pije duhet të dezinfektohet.

Mendimi i Qendrës së Shëndetit Publik Gostivar më 29 qershor

“Herën e fundit, ne si Agjenci për Ushqim dhe Veterinari së fundmi kemi marrë rezultat nga Qendra për Shëndet Publik Gostivar dhe uji ka qenë i sigurt”, tha dje Oliver Millanov, Drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.

Për të sqaruar rrethanat, Alsat kontaktoi udhëheqësin e Qendrës për Shëndet Publik në Gostivar Berun Mustafën, megjithatë ai në telefon shkurt na tha se nuk i kujtohet kur janë bërë matjet, ndërsa shtoi se rezultatet për mostrat e marra nga terreni dalin me një javë vonesë. Për rrethanën e këtillë kontradiktore, organi i akuzës gjatë ditës së djeshme theksoi se hetimi nuk ka përfunduar dhe se po shqyrtohen dhe analizohen të gjitha çështjet.

Ndërkohë gjendja me epideminë në Gostivar sipas autoriteteve është në kontroll. Gjatë ditës së sotme ka 190 raste të reja që janë paraqitur me simptoma helmimi, ndërsa numri i përgjithshëm zyrtar ka arritur në rreth 3.600. Vazhdon ndalesa për përdorimin e ujit, ndërsa në pastrimin e ujësjellësit janë kyçur edhe ekspertë nga Ujësjellësi i Shkupit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button