Uji në Strugë edhe më tej i turbullt, Komuna fajëson hidrocentralet e vogla

Dita e dytë që uji nga ujësjellësi i qytetit në Strugë është i ndaluar për pije, për shkak të turbullirës që shfaqet pas çdo reshje të dendur. Sipas Qendrës së Shëndetit Publik, turbullira e ujit sot në krahasim me një ditë më parë është rritur. Nëse vlerat normale janë deri në 1.5, sot ato janë 2.56 dhe 2.67. Pushteti vendor fajin e hedh te hidrocentralet e vogla në fshatin Belicë e Epërme.

“Duhet që të vendosen rubinete në mënyrë që të bllokohet njëri nga rezervuarët përmes të cilit prodhohet rrymë, kur ka reshje të dendura shiu. Jemi në dakordim e sipër me kompaninë menaxhuese që problemi të zgjidhet”, u shpreh Dashmir Nasufi, Drejtor i NP “Ujësjellës- Kanalizime”, Strugë.

Turbullirë më e madhe është regjistruar në Kopshtin e fëmijëve “Dielli” dhe në Institutin e Nefrologjisë, ku ka pacientë për dializë.

“Apelojmë rregullisht, por nuk varet vetëm nga ne. Ndoshta ka nevojë për rinovim më të madh ose investim, sepse kjo njëherë rregullohet”, deklaroi Aco Poposki – Drejtor i Institutit të Nefrologjisë Strugë.

Qytetarët kërkojnë në vend që vetëm të dëgjojnë premtime, të punohet në zgjidhen e shpejtë të problemit.

“Askush nuk bën asgjë në këtë komunë e as në shtet. Nuk janë ndërruar as tubat e asbestit. Ndërsa ato po plasin. Janë po aq të vjetra sa unë”.

Kjo është hera e dytë në vetëm dy muaj që uji që pinë struganët ndalohet jo vetëm për pije, por edhe për higjienë. E njëjta gjë ndodhi edhe në fund të tetorit. Nga Qendra e Shëndetit Publik në Ohër vlerësojnë se cilësia e ujit duhet të kontrollohet vazhdimisht./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button