Ulet borxhi i Komunës së Tetovës

Ulet borxhi i Komunës së Tetovës

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Është zvogëluar borxhi i komunës së Tetovës për rreth një milion euro. Këtë sot e bëri të ditur kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, i cili shtoi se, edhe përkundër krizës ka arritur të ulë borxhin e përbërjes së kaluar, nga 24 në 23 milion euro. Kasami tha se shkollat e vendit tashmë nuk janë në borxhe, ndërsa rrogat e mbetura të punëtorëve në disa ndërmarrje komunale, janë paguar tërësisht.

“Shkollat që i gjetëm me rreth 80 000 euro borxh, tashmë janë shlyer dhe funksionojnë me normalitet. NP Parkingu i qytetit përveç borxhit që publikuam, kishte edhe rroga të pashlyera prej rreth 50 000 eurove, të cilat i pastruam dhe tani punëtorët e parkingut i marrin rrogat në kohë, dhe ndërmarrja arriti ta shlyej një pjesë të borxhit të saj”, deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Borxhi nuk është zvogëluar vetëm në Ndërmarrjen publike komunale “Tetova”, e cila në këtë periudhë ka rritur borxhin nga 9 në mbi 10 milion euro. Kasami ka theksuar se është duke u punuar një studim fizibiliteti për ndërmarrjen “Tetova”, me të cilin do të shihen mundësitë e shndërrimit në partneritetit publik- privat.

“Situata ende është e vështirë në NPK Tetova. Kjo, si rezultat i rritjes së rrogës minimale dhe rritjes së energjisë elektrike dhe derivateve të naftës nga njëra anë, si dhe mos realizimi i suksesshëm i inkasimit të faturave. Këtë ndërmarrje e gjetëm me borxh prej afro 10 milion eurove dhe shumë halle të tjera, si mungesë pagash, stafi e pajisje pune, si kamionë, kontejnerë e tjerë. Për tu përballu me këto probleme ne kemi vendosur për riorganizim të plotë të ndërmarrjes”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Me humbje dhe vështirësi, vazhdon të funksionojë edhe ndërmarrja “Tetova Transport”, e cila, si pasojë e mos përdorimit të transportit publik nga banorët, po punon me humbje. Pikërisht për këtë, komuna muaj më parë, kësaj ndërmarrjeje i ndau subvencion prej 3 milion denarësh për shlyerjen e borxheve dhe pagesës së rrogave të punëtorëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button