UNICEF dhe UNESKO apelojnë që nxënësit mësimin ta ndjekin me prezencë fizike

Humbjet që nxënësit do të pësojnë nga mos shkuarja në shkollë nuk do të kompensohen kurrë. Prandaj, shkollat duhet të jenë të fundit që do të mbyllen dhe të parat që do të rihapen, apeluan në një deklaratë të përbashkët UNICEF dhe UNESKO.

Duke filluar nga humbja e njohurive, përmes ankthit, ekspozimit ndaj dhunës dhe abuzimit, e deri në vaktet e humbura dhe vaksinimet në shkollë ose aftësitë e reduktuara shoqërore, pasojat për fëmijët do të ndihen në rezultatet e tyre arsimore dhe angazhimin shoqëror, si dhe shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Në këtë rast, më të dëmtuar janë fëmijët në mjedise me të ardhura të ulëta, të cilët nuk kanë qasje në mjetet e mësimit në distance si dhe fëmijët më të vegjël, të cilët janë në fazat kryesore të zhvillimit – thonë nga UNICEF – UNESKO.

Dy organizatat botërore vlerësojnë se rihapja e shkollave është e patjetërsueshme për shkak se shumë prindër kanë humbur vendet e punës për shkak të kujdesit ndaj fëmijëve.

Kjo është arsyeja pse rihapja e shkollave me prani fizike nuk duhet të presë. Rastet nuk duhet të priten të arrijnë zero. Ka prova të qarta se shkollat fillore dhe të mesme nuk janë ndër nxitësit kryesorë të përhapjes. Ndërkohë, rreziku i përhapjes së KOVID-19 në shkolla mund të kontrollohet me strategji të përshtatshme zbutëse në shumicën e mjediseve. Vendimi për hapjen ose mbylljen e shkollave duhet të bazohet në analizën e rrezikut dhe konsideratat epidemiologjike në komunitetet ku ato ndodhen. Rihapja e shkollave nuk duhet të presë që të gjithë mësuesit dhe studentët të vaksinohen – thuhet në njoftimin e UNICEF – UNESKO.

Sipas të dhënave të UNICEF-it dhe UNESKO-s, 18 muaj pas fillimit të pandemisë, miliona fëmijë vazhdojnë të mbeten pa arsim adekuat. Në 19 vende të botës shkollat fillore dhe të mesme janë të mbyllura, që prekë drejtpërdrejt mbi 156 milion studentë.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button