Ushtria amerikane ka “eliminuar” 16 anije iraniane që vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen tha se lufta në Iran u ka kushtuar qytetarëve të BE-së, 3 miliardë euro në importet e karburanteve. Megjithatë ajo paralajmëroi se Evropa do të bënte gabim strategjik nëse do të përpiqej që të ulte çmimet e energjisë me një rikthim te lëndët djegëse fosile ruse.

“Çmimet e gazit janë rritur me 50% dhe çmimet e naftës janë rritur me 27%. Nëse e përktheni këtë në euro, 10 ditët e luftës u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë 3 miliardë euro shtesë në importet e karburanteve fosile. Ky është çmimi i varësisë sonë. Fakti është se ne kemi burime energjie vendase: burime të rinovueshme dhe energji bërthamore. Çmimet e tyre kanë mbetur të njëjta gjatë 10 ditëve të fundit. Megjithatë, në krizat aktuale, disa argumentojnë se duhet ta braktisim strategjinë tonë afatgjatë dhe madje të kthehemi te lëndët djegëse fosile ruse. Ky do të ishte një gabim strategjik”, tha Ursula Von Der Lejen, Presidente e Komisionit Evropian.

SHBA ndërkaq thotë se rritja e çmimeve të naftës dhe gazit është e përkohshme dhe e pritshme dhe se në pritet që kjo situatë të çojë në çmime më të ulëta në afat të gjatë.

“Rritja e fundit e çmimeve të naftës dhe gazit është e përkohshme, dhe ky operacion do të rezultojë në çmime më të ulëta të karburantit në afat të gjatë. Pasi objektivat e sigurisë kombëtare të operacionit “Furia Epike” të arrihen plotësisht, amerikanët do të shohin që çmimet e naftës dhe gazit të bien shpejt, ndoshta edhe më poshtë se sa ishin para fillimit të operacionit”, theksoi Karoline Leavit, Zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë .

Ushtria amerikane thotë se ka “eliminuar” 16 anije iraniane që vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit, pasi Presidenti Donald Trump paralajmëroi Iranin të mos “vendoste asnjë minë” atje. Ndërkohë, tre anije tregtare janë dëmtuar nga “predha të panjohura” në zonë.

Irani ka ndaluar cisternat e naftës të përdorin Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transportohet rreth 20% e naftës së botës. Komanda e Përbashkët Ushtarake e Iranit tha se çmimi mund të arrijë në 200 dollarë për fuçi nëse konflikti vazhdon. Ndërkaq zëdhënësi i Gardës Revolucionare ditë më parë paralajmëruar se Irani nuk do të lejojë eksportimin e asnjë litri naftë nga rajoni nëse vazhdojnë sulmet SHBA-Izrael. /Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button