Detajet në VLEN, pas vendimit të Alternativës për shkarkimin e organeve
Detajet në VLEN, pas vendimit të Alternativës për shkarkimin e organeve
Gazetare: Fatlume Dervishi
Alternativa nuk ka ftuar akoma organet e partisë për të sjell vendimin e shkarkimit, në prag të shkrirjes së VLEN-it.
“Ende janë duke u zhvilluar diskutime rreth asaj se si do të duket VLEN në të ardhmen. Pasi të përfundohen bisedimet dhe të konkretizohen detalet do ti thirrim organet partiake për të marrë vendim,” thane nga Alternativa
Bilall Kasami, njëri nga kryetarët e ardhshëm të partisë, tha se te Kurti marrëveshja ka qenë parimore, kurse komisionet e përbashkëta do të definojnë detajet e konsolidimit të strukturave pas vendimeve në Alternativa.
“Varet për momentin nga konsultimet që bëhen brenda Alternativës se kur do të marrin një vendim që të ngrihen ato organet e përbashkëta apo komisionet të cilat do të detajojnë të gjithë atë për të cilën në parim jemi marrë vesh.” deklaroi Bilall Kasami, VLEN.
Kasami konfirmoi se modeli për të cilin janë marrë vesh është me dy bashkëkryetarë dhe me ndarje në 5 pjesë nga 20%.
Zv.kryeministri Arben Fetai, i cili nuk mori pjesë në takimin te Kurti dhe ka qëndruar i heshtur që kur u soll vendimi për modelin me dy bashkëkryetarë në VLEN, reagoi sot për herë të parë që nga konfirmimi i vendimit. Ai duke përshkruar revolucionin francez konkludon:
“…kur një lëvizje fillon të konsumojë njerëzit e saj për shkak të apetiteve të fraksioneve, ndonjëri prej tyre mund të forcohet përkohësisht, por në fund, lëvizja e han kokën e vet,” tha Arben Fetai, zv.kryeministër.
Kasami nuk ka komentuar statusin në rrjetet sociale të zv.kryeministrit Arben Fetai. Ai tha se Fetai duhet të qëndrojë në VLEN por vendimi është i tiji.
“Nuk mundemi askënd të mbajmë me forcë brenda kësaj organizate. Ne do të kishim dashur dhe e kemi potencuar që edhe z.Fetai dhe të tjerët të jenë edhe më tej pjesë e VLEN-it sepse e vlerësojmë kontributin e tyre por gjithkush është autonomy të vendosë për hapat e tij dhe veprimet e tij të mëtejshme,” tha Bilall Kasami, VLEN.
Në takim te Kurti të shtunën u zgjat dora e marrëveshjes brenda VLEN-it. Kasami e Mexhiti do të jenë bashkëkryetarë kurse Qoku dhe Demiri pritet të jenë nënkryerarë. Bekim Sali pritet të jetë Sekretar i Përgjithshëm. Partia pritet të jetë me idologji të qendrës së djathtë. /alsat.mk








