Vazhdojnë përplasjet mes pushtetit dhe opozitës mbi Ligjin për mbrojtjen e popullsisë

Pushteti dhe opozita vazhdojnë përplasjet rreth Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nga Kongresi Digjital akuzoi VMRO-DPMNE-së se qëllimisht po bën obstruksione në dëm të shëndetit publik. Zaev shtoi se qasja e partisë së Hristijan Mickoskit ndaj propozim-Ligjit për mbrojtjen e popullsisë është jo njerëzore.

Zhvillimet e fundit mbi Ligjin për mbrojtjen e popullsisë janë dëshmi e destruktivitetit. Mickoski i kundërshton masat të cilat do të na shpëtojnë shëndetin. Me këtë qasje Mickoski dhe kjo udhëheqësi e VMRO-DPMNE-së dëshmojnë se sa janë të rrezikshëm për vendin tonë. Kësaj here janë të rrezikshëm edhe për shëndetin publik. Nuk e kanë për rëndësi shëndetin. Qëllimisht punojnë dhe groposin shëndetin e përgjithshëm – deklaroi Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja edhe sot kërkoi dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe formimin e komisionit special për sëmundje ngjitëse. Sipas partisë së Hristijan Mickoskit, Qeveria në krye me Zaev ka kundërshtuar të gjitha amendamentet e opozitës në rishikimin e buxhetit gjë që sipas tyre bën të pamundur ballafaqimin efikas me pandeminë.

I gjithë kaosi nëpër spitale dhe frika e qytetarëve janë të nxitura nga paaftësia dhe qasja autoritare e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe Venko Filipçes. Për këtë arsye Filipçe duhet të jep dorëheqje dhe të formohet komision i ri special. Çdo gjë tjetër është manipulim me qytetarët dhe në dëm të tyre -thonë nga VMRO-DPMNE.

Të martën propozim-Ligji për mbrojtjen e popullsisë pritet të vendoset në seancë plenare. Opozita maqedonase thotë se nuk do ta bllokon të njëjtin, por votimi i tyre do të jetë i përmbajtur. Me ndryshimet e fundit, Qeveria kërkon mbajtjen e obligueshme të maskave dhe në hapësira të hapura, kufizimi i grumbullimeve pas orës 22 dhe ndalesa e grumbullimeve familjare.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button