Vazhdon përplasja Mickoski-Kocevski

Vazhdon përplasja Mickoski-Kocevski

Gazetare: Ajnur Bafqari

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk pret që kryeprokurori Lupço Kocevski të pranojë se nuk kishte sukses në punën e tij. E pati por nuk e shfrytëzoi shansin, thotë Mickoski. Sipas tij procedura për shkarkimin e Kocevskit e filluar që para zgjedhjeve vazhdon.

“Nuk presim prej prokurorit publik të thotë se po, jam fajtor, nuk kisha sukses në punën time. Këtë që e flet ai është e pritshme. Argumentet i sheh opinioni, opinioni është dëshmitar për punën e tij, për punën e prokurorisë e të gjykatave. Ai është i robëruar mes të paktëve në korniza të prokurorisë. Kishte mundësi, kishte shans, për fat të keq nuk e shfrytëzoi…Vijon procedura, ka filluar që para zgjedhjeve lokale”, tha Hristijan Micksoki, kryeministër.

Deklarata e Mickoskit, është kundërpërgjigje ndaj pohimeve të fundit të kryeprokurorit, i cili në një intervistë tha se shkarkimi i tij është i motivuar politikisht. Kocevski theksoi se do të vazhdojë të punojë edhe më tej, siç tha me ndershmëri e përgjegjësi.

“Unë si individ, si prokuror shtetëror jam rezistent ndaj këtyre deklaratave politike, megjithatë për mua janë të rëndësishme rezultatet. Lidhur me rezultatet jam i kënaqur, pasur parasysh kapacitetin e prokurorëve publikë sepse vërtet përballemi me lëndë të rënda… Unë edhe më tej do të punoj me ndershmëri, përgjegjësi, sipas rregullave dhe ligjeve, ndërsa deklaratat politike ua lë politikanëve”, u shpreh Lupço Kocevski,  kryeprokuror.

Kocevski foli edhe lidhur lëndët për ndërtimet pa leje në Çair, për të cilat tha se fillimisht do të bashkohen në një dhe më pas do të veprohet. Lidhur me këtë çështje, kryeministri Mickoski tha se organet duhet t’i kryejnë punët e tyre dhe nëse prokuroria ka vendosur kështu, nuk ka se çfarë të komentojë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button