Vazhdon vaksinimi kundër gripit stinor. Deri më tani mbi 10 mijë qytetarë janë vaksinuar ndërsa 52 mijë janë paraqitur për ta marrë vaksinën. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili edhe vet pranoi vaksinën, u bëri thirrje kategorive të rrezikuara që të imunizohen, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar komplikimet shëndetësore. Taravari ndërkohë paralajmëroi se së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë është duke u përgatitur strategji për të luftuar anti-vaksinimin, të cilën do ta promovojnë në dhjetor dhe do të dalin me masa konkrete ligjore për ata që përhapin dezinformata dhe lajme të rreme për vaksinimin.
“Sot e kisha mundësin së bashku me drejtoreshën e Institutit për Shëndet Publik ta pranoj vaksinën kundër gripit. Kjo është mënyrë preventive për ti parandaluar komplikimet nga paraqitja e influencës apo gripit, posaçërisht te punëtorët e shëndetësisë, dhe unë si ministër i Shëndetësisë desha sot të jap shembull se mirë është të pranohet kjo vaksinë”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë. /Alsat.mk








