Vendimi për dëmshpërblimin e “branitellave” shkakton reagimin e veteranëve të UÇK-së

Vendimi për dëmshpërblimin e “branitellave” shkakton reagimin e veteranëve të UÇK-së

Gazetar: Adnan Qaili

Qeveria ka pranuar në heshtje kushtin e një partie pa asnjë deputet, siç është Dinjiteti i Stojançe Angelov, për të dëmshpërblyer ish-branitellat e konfliktit të 2001-it, që të mos dalin nga koalicioni qeverisës. Kështu thotë për Alsat Daim Hiseni nga SHVL-UÇK-ja duke drejtuar kritika të ashpra për moszgjidhjen e statusit të ish-ushtarëve UÇK-së, që sipas tij nuk gëzojnë asnjë të drejtë ligjore. Hiseni thotë se veteranët e luftës dhe familjet e dëshmorëve janë nëpërkëmbur me pëlqimin e partive shqiptare në pushtet për të përkrahur këtë nismë të Angellovit me vendim qeverie. Tek Sheshi Shqiponja në Shkup, takuam Daim Hisenin nga kjo shoqatë, i cili tha se partitë e dala nga UÇK janë duke bërë kompromis për hesape të pushtetit, duke harruar idealin për të cilin e thonë në zgjedhje.

“Partitë tona politike, mbështesin materialisht dhe financiarisht kriminelët e luftës, me automatizëm nënkuptojmë se këta janë bërë pjesë e krimit të organizuar, bashkë me kriminelët e luftës, të cilët sot e asaj dite e 100 vite me radhë mbrojnë dominimin pro-rusë dhe pro-serb në Maqedoni. Pjesë e kësaj politike janë bërë edhe partitë shqiptare pavarësisht pozitë apo opozitë, që flasim në rastin konkret”, tha Daim Hiseni, SHVL-UÇK.

Se ka revoltë të madhe të familjeve të dëshmorëve, u vërejt edhe në Manifestimin e 2 Majit në Sllupçan, kur babai i djalit të rënë nuk lejoi kortezhin e BDI-së me Ali Ahmetin që të ofrojnë lule. Zgjidhja e statusit politiko-juridik të shqiptarëve në Maqedoni sot e 22 vite nuk është realizuar, thonë nga SHVL-UÇK. Nisma për rregullimin e ligj për UÇK-në mbeti vetëm premtim në letër, por Hiseni thotë se nuk do të heqin dorë.

“Kur përmendëm rastet sociale ne e ngritëm zërin dhe kundërshtuam fuqishëm kur kjo parti politike shqiptare dhe të tjerat bashkë me bllokun maqedonas kërkuan të na imponojnë zgjedhjen e statusit të ish-luftëtarëve si raste sociale, pra përmes MPPS, sikur ti kishte shkel autobusi. Donin të na shpërblenin me të holla si raste sociale dhe të harrohet lufta e UÇK-së, dëshmorët e rënë”, u shpreh Daim Hiseni, SHVL-UÇK.

Të shtunën, ish-branitelli Stojanço Angellov doli para mediave duke pretenduar se ka marrë dritë jeshile nga kreu i LSDM Dimitar Kovaçevski dhe Kreu i BDI Ali Ahmeti për mbështetjen e dëmshpërblimit të ri.Partia Dinjiteti që është në qeverisje me LSDM dhe BDI vuri kusht që do të largohet nga koalicioni nëse nuk përmbushët kërkesa e tyre e ngritur nga dhjetori, thonë se tani do procedohen me vendim qeverie. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button