Vendimi për modularin, qytetarët: Drejtësia në vend është selektive

Vendimi për modularin, qytetarët: Drejtësia në vend është selektive

Me vendimin për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, drejtësia dështoi tërësisht dhe është selektive, thonë qytetarët. Sipas tyre edhe përkundër kritikave të ndërkombëtarëve, situata nuk është përmirësuar aspak, por përkundrazi ajo vlen vetëm për popullatën e thjeshtë por jo edhe për politikanët dhe familjarët e tyre.

“Nuk është në rregull, jurisprudenca nuk është si duhet, duke filluar nga gjykatat themelore deri tek ajo supremja nuk zbatohet Ligji, ligji është vetëm në letër ndërsa në praktikë jo, ose është selektiv vetëm për ata që s`kanë pozita, këtu është vetëm mbi popullatën dhe atë që është i pafuqishëm”.

“S`ka drejtësi fare, aspak te ne. Mjerë ata që u dogjën valla”.
“Ka dështuar drejtësia dje, drejtësi s`ka. Si t`iu teket punojnë. Po ne duhet të çohemi sepse ne në gjumë gjithnjë jemi siç edhe kemi qenë. Tetovën e mbajnë pesë persona, Gostivarin e mbajnë tre veta, mjerët ne”.

“S`ka drejtësi këtu s`ka, këtu krejt të humbur kemi mbetur. U dogjën 14 persona, kjo shumë e çuditshme është, kush i mbron këto kush i ka në dorë këto Ligje se di. E turpshme është kjo kushdo që ta dëgjojë”.

Vendi ku u dogjën 14 personat, edhe pse u tha që do bëhet park dhe në të në shenjë respekti dhe përkujtimi ndaj viktimave do vendoset pllakë përkujtimore, është shndërruar në vendparkim.

“Këtu në këtë vend që tani shërben si parkim për makinat, ishte modulari, apo vendi ku prehen katërmbëdhjetë jetët e humbura. Përveç që u zhdukën gjitha gjurmët e këtij modulari nuk është vendosur asnjë shenjë nga spitali i Tetovës se, këtu humbën jetët 14 persona. Ndërsa, edhe pllaka përkujtimore e paralajmëruar, nuk duket askund”, raporton Bashkim Sulejmani. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button