Vendimi për rastin “Monsta”, më 23 shkurt

Të akuzuarit në rastin “Monstra” kërkuan nga gjykata t’i lirojë nga akuza. Agim Ismailoviç, Fejzi dhe Haki Aziri thanë se ata nuk janë vrasësit e katër djemve dhe peshkatarit në liqenin e Smilkovës nëntë vjet më parë.

“Prokuroria më akuzon se kam kryer një krim. Unë kategorikisht e mohoj që në çfarëdo baze kam kryer ndonjë krim. Kërkoj gjykata ta vlerësojë këtë dhe të marrë vendim të duhur, duke pasur parasysh se tash 9 vjet, më tërheqin dhe maltretojnë  nëpër gjykata”, theksoi Fejzi Aziri, i akuzuar. 

“Kërkoj gjykata të marrë vendim për lirimin tonë”, deklaroi Haki Aziri, i akuzuar.

Avokatët e të akuzuarve mbeten në qëndrimin që kishin në nëntë vitet e fundit, se “Monstra” është rast i montuar dhe se të akuzuarit  janë të pafajshëm.

“Ne jemi thellësisht të bindur se ky është rast i montuar. Megjithatë, mbetet detyrimi i prokurorisë që fajësinë ta provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Kështu, shtrohet pyetja nëse përfaqësuesit e prokurorisë, me, them nën thojza, aktakuzën e tyre të precizuar, patën sukses në këtë?”, tha Naser Raufi, Avokat.

Avokatët e viktimave kërkuan dënime maksimale për të akuzuarit. Procedura e përsëritur ka treguar se ata ishin autorët e vrasjes, ndërsa “bombat” e LSDM-së nuk kanë zbuluar asnjë moment të ri.

“Pas dëgjimit të të gjitha ‘bombave’ që kishte në dispozicion PSP-ja, nuk u konfirmuan fakte të ndryshme nga ato të vendosura në procedurën e mëparshme penale, përveç se u mbajtën shumë seanca dhe u humb shumë kohë për aktvendim të shkallës së parë”, tha Dafina Ivanovska, avokate.

Vendimin për “Monstrën” gjykata do ta shpallë më 23 Shkurt. Prokuroria kërkon dënime të përjetshme për Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviq, të cilët janë në arrati, si dhe për Agim Ismailoviq, të gjithë të akuzuar për terrorizëm. Për Haki dhe Fejzi Azirin kërkon dënim maksimal me burg për ndihmë dhe përkrahje të terrorizmit, ndërsa për të akuzuarin Sami Luta është tërhequr akuza për shkak të mungesës së provave. Më parë, në gjykimin e para disa viteve, të gjithë u dënuan me burgim të përjetshëm. Por më vonë rasti u kthye në rigjykim pasi Gjykata Supreme rrëzoi vendimin, ndërsa rastin e mori Prokuroria Speciale Publike e cila tashmë është shuar.

 

Bojan Stojanovski

LEXO EDHE:

Back to top button