Kuvend, akuza për dështim ndaj Nikolla Dimitrovit

Opozita maqedonase e bën përgjegjës Dimitrovin për dështimin e fillimit të negociatave me BE-në. Aleksandër Nikollovski nga VMRO DPMNE tha se pakti i vitit 2017 mes Shkupit e Sofjes, arkitekt i së cilës ishte Dimitrovi, nuk e obligon Sofjen ta mbështesë euro-integrimin e vendit dhe si pasojë vendi tani ndodhet para zgjedhjes së vështirë: të mos hapërojë drejt euro-integrimit ose populli maqedonas të pranojë diçka që nuk është.

“Duhet të jeni amator politik ose të keni agjendë tjetër të nënshkruani marrëveshje me shtet fqinj që jua konteston themelet e shtetit dhe përskaj kësaj të mos keni kurrfarë mekanizmash të kontrollit. Ashtu siç duhet të jeni amator të pranoni që komisioni për historinë të vendos për të ardhmen e shtetit. Në Ballkan ku secili ka interpretim të vetë të historisë, të pranoni historia të vendos për të ardhmen, e përsëris, është ose amatorizëm politik ose agjendë e fshehur. Dyshoj në të dytën, nuk jeni aq pa përvojë”, tha Aleksandar Nikollovski, VMRO DPMNE.

Dimitrov i hodhi poshtë akuzat si të pabaza, me arsyetimin se ai nuk mund të mbante përgjegjësi për premtimet që nuk i mbajti Unioni apo shkeljet që i bëri Sofja marrëveshjes. Madje Dimitrov tha se në Sofja ai konsiderohej “më i keq se Koronavirusi” dhe njeri që nuk lëshon pe.

“Për çka akuzohem?! Që nuk lejova negociata me çdo çmim, me çmimin e gjuhës maqedonase?! Mbase këtë e dëshiruat, që të mund ta plasonit tezën e tradhtisë së interesave kombëtare, sepse kështu kjo tezë nuk ju mbanë. Nëse këtë e kërkoni, menjëherë po ju them, asnjëherë nuk lejoj. Mirë që s’u kujtuat të ngrisnit interpelancë ndaj Komisionit Evropian që i dhanë kësaj Qeverie rekomandim të pakushtëzuar ose Këshillit Evropian për dritën jeshile, të pakushtëzuar për fillim të negociatave! Sepse bëhet fjalë për fjalët dhe vendimet e tyre”, pohoi Nikolla Dimitrov, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Debati u tensionua pas akuzave profesionale e personale që Dimitar Apasiev nga “E Majta” ia adresoi Dimitrovit.

“Ai nënshkroi marrëveshjen e turpshme, kapitulluese me të cilën ne nga “maqedonas” u bëmë “maqedono-verior”. Me këtë ai bëri vepër penale kundër shtetit, sepse e solli drejt varësisë nga shtet tjetër dhe për këtë një ditë duhet të përgjigjet penalisht, sepse pas rënies së këtij regjimi hybrid karriera e tij do të vazhdojë në universitete a institute botërore për shpërlarje truri ose si azil-kërkues në stilin e Gruevskit, sepse do të ngritet procedurë penale ndaj tij”, deklaroi Dimitar Apasiev, “E majta”.

“Për atdheun tonë, për Maqedoninë tonë shumë maqedonas dhe maqedonase edhe kanë shkuar në burg. Edhe unë jam gati ta paguaj atë çmim për kauzën maqedonase. Dikush shkoi në burg e dikë e futën me forcë, por mendojeni kjo në cilën kategori ju vendos juve dhe çfarë vendi rezervoni në historinë maqedonase! Jeni profesor i drejtësisë, por nuk do të thotë se nuk gaboni kur thoni se Marrëveshja e Prespës është nënshkruar jashtë Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Nikolla Dimitrov, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane .

Derisa opozita i kujtonte Dimitrovit se dorëheqja pas dështimeve është vlerë evropiane, pushteti këmbëngulte se ai është meritori për të gjitha sukseset e vendit në politikën e jashtme. Interpelanca ndaj Dimitrovit u propozua nga VMRO DPMNE-ja dhe të partia “E majta”.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button