Vendosja e busteve në Tetovë, Komuna akuzon Qeverinë për nxitje të urrejtjes mes qytetarëve

Vendosja e busteve në Tetovë, Komuna akuzon Qeverinë për nxitje të urrejtjes mes qytetarëve

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Komuna e Tetovës akuzon Qeverinë se përmes Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut të Tetovës po tenton të nxisë urrejtje mes qytetarëve me vendosjen e busteve të dy heronjve të komunizmit, Gjoce Stojçevski dhe Todor Cipovski. Autoritetet lokale thonë se Muzeu i Tetovës nuk ka kërkuar leje nga komuna për vendosjen e tyre në oborrin e muzeut të komunistëve në Tetovë dhe këtë e ka konstatuar edhe Inspektorati.

“Tokat ku janë vendosur bustet e luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore janë pronë e muzeut të Tetovës dhe përgjegjës për këtë është Qeveria e udhëhequr nga Talat Xhaferi, më saktësisht, ministria si themeluese e këtij institucioni nacional e që i bie se në mënyrë ilegale këta buste i ka vendosur kryeministri teknik Talat Xhaferi. Ndërsa leje për vendosje të busteve jep komuna e komuna, nuk ka dhënë asnjëfarë leje, dhe me këtë rast komuna po e proceson atë që ka konstatuar inspektorati në terren”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.

Ndërkohë drejtori i muzeut Miço Stojçeski tha se bustet janë vendosur me rastin e përvjetorit të themelimit të partisë komuniste dhe janë të përkohshëm në atë vend, ndërsa sipas tij komuna nuk është kompetente për të dhënë leje për vendosjen e tyre.

“Bustet janë të heronjve të popullit e të qytetit të Tetovës dhe janë të vendosur në vetë oborrin e muzeut me vendin të këshillit drejtues dhe Shoqatën e Luftëtarëve, dhe kjo procedurë shumë vite pra 19 vite është hedhur poshtë dhe këta njerëz nuk meritojnë të harrohen. Janë vendosur jo me qëllim të keq por për tu kushtuar respekt sepse kanë dhënë jetën për Maqedoninë dhe nuk shoh asnjë problem këtu.”, u shpreh Miqo Stojçeski, drejtor i I.N. Muzeu i Tetovës.

Bustet e heronjve të komunizmit Gjoce Stojçevski dhe Todor Cipovskit deri në vitin 2007 ishin të vendosur këtu, në sheshin Iliria në Tetovë, por përbërja e asaj kohe e komunës së Tetovës, vendosi që të largohen nga sheshi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button