Veprimet e fundit të Qeverisë po vënë në dyshim efikasitetin e saj dhe fuqinë ekzekutive

Gazetar: Adrian Kerimi

Kështu vlerëson profesori universitar, Aleksandar Spasenovski duke komentuar mbledhjen e fundit të partnerëve të koalicionit qeverisës, i cili sipas tij nuk përkon me realitetin. Sipas Spasenovskit edhe pse pushteti thotë se ka shumicë, në Kuvend dhe pushtetin ekzekutiv nuk funksionon asgjë.

“Si rezultat i një lidershipi të ri në LSDM e cila udhëheq me Qeverinë akoma nuk është vendosur kontroll mbi institucionet. Arsyeja e dytë subjektive është shumica e brishtë parlamentare e cila po krijon një situatë që të kemi Kuvend të bllokuar. Kjo për shkak se partitë që janë në pushtet jo gjithmonë po arrijnë të miratojnë edhe ligjet më të thjeshta. Në këtë mënyrë vihet në pikëpyetje efikasiteti i Qeverisë. Arsye tjetër është karakteri i menaxhimit të proceseve politike në shtet. Mbase duhet detektuar lëshimet e institucioneve që të kemi pushtet ekzekutiv efikas”, deklaroi Aleksandar Spasenovski, Profesor universitar.

Spasenovski vlerëson se mos zbatimi i vendimeve të Qeverisë nënkupton cenim legjitimiteti nga ana e qytetarëve.

“Shohim se qytetarët në vazhdimësi po e ulin besimin në institucionet dhe mënyrën se si menaxhohet me proceset politike. Karakteri i të gjitha çështjeve të rënda me të cilat ballafaqohemi dhe pritjet e mëdha të qytetarëve nuk do mend që institucionet duhet të japin maksimumin nga kapaciteti i tyre nëse duan t’i zgjidhin problemet”, u shpreh Aleksandar Spasenovski, Profesor universitar.

Në mbledhjen e fundit të kryeministrit Dimitar Kovaçevski me partnerët e koalicionit u riafirmua qëndrimi unanim se zgjedhje nuk do të ketë deri në vitin 2024. Ndonëse kishte shumë çështje aktuale si propozimi francez, masat ekonomike, kriza energjetike dhe ligjet e pa miratuara, i pari i Qeverisë nuk kishte asnjë qëndrim konkret për hapat e mëtejmë. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button