Vetëm një kandidaturë zyrtare për kryetar të LDK-së

Dy javë para kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku pritet zgjedhja e kryetarit të ri të kësaj partie, vetëm ministri në detyrë i Mbrojtjes dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Anton Quni, ka rikonfirmuar qëllimin për të marrë timonin e partisë. Kandidatët e tjerë të përfolur nuk kanë konfirmuar zyrtarisht kandidaturat.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka vendosur ta thërrasë kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, për të ofruar dorëheqjen nga ky post, vendim ky që pasoi rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Në bazë të rezultateve aktuale, LDK-së i janë përgjysmuar votat që nga zgjedhjet e 6 tetorit, 2019.
Kush janë pretendentët kryesorë?
Anton Quni e Lutfi Haziri janë të vetmit që nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të jenë kandidatë për të marrë drejtimin e partisë.

Anton Quni të hënën rikonformoi për Radion Evropa e Lirë se do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.

“Do të jem pjesë e garës për kryetar të LDK-së”, tha Quni.

“Për këtë vendim e kam njoftuar edhe kryesinë e partisë dhe tani pres që të vazhdohet me procesin”, deklaroi Quni.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Lutfi Haziri, që është edhe kryetar i Gjilanit, ka thënë se asgjë nuk është përfundimtare.

“Ende nuk jam kandidat zyrtarisht. Vendimin për këtë do ta marr pas një jave”, tha Haziri.

Përkrahje për kandidaturën e Hazirit po ofrojnë edhe strukturat lokale të LDK-së nga Anamorava. Disa nga ta, duke përfshirë edhe nënkryetarin e degës së LDK-së në Gjilan, Imet Rrahmani, kanë postuar në rrjetet sociale një përshëndetje për simpatizantët e partisë me një fotografi të Lufti Hazirit.

Anëtarë të kryesisë dhe degëve të LDK-së kanë përmendur edhe emrin e Kujtim Shalës, por ky i fundit asnjëherë deri më tash nuk është deklaruar nëse do të jetë pjesë e garës. Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të kontaktojë me Shalën, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, që është pjesë e kryesisë së LDK-së, po ashtu ka publikuar një fotografi me mesazh në rrjetet sociale, përkrah Kujtim Shalës./REL

 

LEXO EDHE:

Back to top button