Duke iu përgjigjur pyetjes se përse kërkon të vazhdojë të qeverisë edhe pas 13 vitesh në pushtet, Rama tha se në demokraci askush nuk e trashëgon apo e dorëzon pushtetin sipas dëshirës, por vetëm sipas vullnetit të popullit.
“Një parti politike as e trashëgon timonin e pushtetit, as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. PS ushtron pushtetin për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se as ai vetë nuk ka të drejtë të vendosë se kush duhet të jetë në qeveri apo në opozitë, pasi këtë e përcaktojnë vetëm qytetarët me votë.
Rama komentoi edhe thirrjet për dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk mund të largohet nga detyra vetëm sepse “një pakicë thërret në kor”.
“‘Rama jepe dorëheqjen’, ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon. Por të largohesh nga detyra pse një pakicë thërret në kor, është vetëm braktisje e një përgjegjësie të madhe”, deklaroi ai.
Në përfundim, kreu i qeverisë tha se misioni i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në realizimin e objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Misioni ynë do të vazhdojë deri në vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës së bashkuar”, u shpreh Rama.