Vlerësohen aplikimet për Avokat të Popullit

Kuvendi nuk përgjigjet nëse do ta anulojë dhe ta rishpallë konkursin për Avokatin e popullit. Kërkesa për këtë erdhi nga Rrjeti i organizatave joqeveritare për mbrojtje nga diskriminimi, të cilat e cilësuan procedurën si jotransparente. Kryetari i Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, Kostadin Kostadinov, është i bindur se procedura e shpalljes së konkursit, e cila është kompetencë e kryeparlamentarit, ka qenë transparente.

Konkursi ka përfunduar dhe për momentin bëhet vlerësimi i aplikimeve. Pas vlerësimit, bazuar në kompetencat e mia si kryetar i Komisionit për zgjedhjeve dhe emërime, do të caktoj seancë në përputhje me normat e Rregullores. Si kryetar i Komisionit për zgjedhje dhe emërime konstatoj se procedura është zhvilluar sipas normave ligjore dhe nuk ka pasur asgjë që bie ndesh me ligjin. Vërejtje mund të ketë por nuk kanë bazë kërkesat që të përsëritet procedura”-tha Kostadin Kostadinov, LSDM.

Për momentin nuk jepen më shumë të dhëna por besohet se në konkursin publik për Avokatin e popullit dhe zëvendësve të tij kanë aplikuar rreth gjashtë kandidatë. Aplikimet do të shqyrtohen nga Komisioni me të cilin udhëheq Kostadinov dhe përzgjedhjet e Komisionit do të votohen në plenare. Emrat e kandidatëve për momentin nuk bëhen të ditur. Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kishte vlerësuar se është bërë përpjekje që konkursi të fshihet me qëllim që të mos informohen të gjithë kandidatët e interesuar.

Është e qartë se qëllimi i Kuvendit është të fshehë konkursin nga sytë e publikut dhe të lërë më shumë hapësirë për negociata partiake në zgjedhjen e Avokatit të Popullit midis partive parlamentare.”-thonë nga Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi.

Alsat pyeti edhe në VMRO-DPMNE, nëse vlerësojnë se procedura ka qenë mjaftueshëm transparente. Deri më tani nuk kemi përgjigje. Nuk kanë reaguar as partitë e tjera parlamentare.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button