VMRO-ja do ta çojë deri në fund interpelancën

VMRO-ja do ta çojë deri në fund interpelancën

Gazetare: Fatlume Dervishi

Edhe pse e vetëdijshme se interpelanca ndaj kreut të Kuvendit Talat Xhaferi mund të mos kalojë, VMRO-DPMNE-ja do ta çojë procesin deri në fund, shkruan Alsat.

Kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski thotë se kryeparlamentari me veprimet e tij synon të përsërisë 27 prillin por partia e tij nuk do të bie pre e këtij skenari.

“Kryetari i Kuvendit, për fat të keq, është plot me primitivizëm dhe kjo rezulton me frustrime për të gjithë qytetarët, jo vetëm për ne që turpërohemi me ato veprime të pahijshme. Ai primitivizëm neverit por duhet të them se nuk është naiv sepse ai primitivizëm ka qëllimin e tij dhe ai qëllim është që të shkaktojë incident të ngjashëm me atë të 27 prillit. Por ato skenaristë dhe organizatorë duhet të dinë se VMRO-DPMNE-ja është me shumë më shumë përvojë, më e organizuar, dhe nuk e ka për qëllim ta vazhdojë këtë agoni në Maqedoni dhe prandaj do të vazhdojmë të sillemi me përgjegjësi në Kuvend”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Për momentin, interpelanca e cila nuk është dorëzuar akoma, ka vetëm votat e VMRO-DPMNE-së.

Aleanca për Shqiptarët ka dhjetëra ankesa ndaj punës së Xhaferit dhe menaxhimit të tij me ligjvënësin. Por, deri në këtë moment, nga kjo parti nuk ka një vendim të prerë për mbështetjen e interpelancës.

“Ne jemi parti opozitare dhe mbi bazën e këtij pozicionit tonë, ne do të diskutojnë në grupin tonë parlamentar dhe do të marrim një vendim të caktuar. ASH-ja në vazhdimësi ka qenë në njëfarë forme nën presion ose tendencë që të jetë e bojkotuar dhe të shmanget nga opinioni publik nga ana e kryetarit. Opinioni është i njoftuar dhe i ka parë debatet me koordinatoren e grupit tonë parlamentar znj.Ilire Dauti për shkak të një tendence për të vendosur gisht edhe mbi të drejtën e fjalës”, u shpreh Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.

VMRO-DPMNE-ja kishte paralajmëruar një interpelancë të mundshme ndaj kreut të Kuvendit që kur dolën incizimet ku ai dëgjohej duke sharë dhe fyer nëpunësit.

Megjithatë vendimi i prerë erdhi pasi Xhaferi mbylli deputetët në sallë të mërkurën kundër vullnetit të tyre, ndërkohë që ata kërkonin të hapen dyert. Për incidentin e parë, Xhaferi tha nuk do t’u kërkojë falje nëpunësve që ka sharë dhe fyer, dhe se nuk i ka sharë ato, por qasjen e tyre ndaj punës. Për të dytin, ai u arsye se ka të drejtë të mbyllë dyert sepse e ka për detyrë të vendosë rend në sallë.

LEXO EDHE:

Back to top button