VMRO s’konfirmon akoma partitë e koalicionit, Mickoski: Bisedojmë parimisht për programin

VMRO s’konfirmon akoma partitë e koalicionit, Mickoski: Bisedojmë parimisht për programin

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja nuk konfirmon akoma emrat e të gjitha partive të pushtetit aktual të cilat pritet t’i bashkohen partisë së tij për koalicion parazgjedhor. Kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski megjithatë thotë se ka biseduar dhe është në bisedime me disa prej tyre, parimisht për programin.

“Rreth motivit dhe arsyes do të doja që të flasin ata. Unë do të doja të ishte për arsye që atyre t’u ketë pëlqyer programi ynë dhe për atë kanë vendosur ta pranojnë. Kishte dhe të tillë me të cilët kemi negociuar dhe nuk kemi arritur marrëveshje. Ose do të garojnë të vetëm, ose do të mbesin me partitë që janë aktualisht në pushtet”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Manovër për të zbutur humbjen e quan kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski vendimin e BDI-së për të koalicionuar me parti të tjera, përfshirë edhe parti joshqiptare. Ai megjithatë nuk pret që koalicioni të ketë sukses.

“Përpiqen të bëjnë manovër në hapësirën politike me të cilën do ta zbusin humbjen në zgjedhje. Nuk mendoj se ky hap do të ishte i suksesshëm duke pasur parasysh personat që kanë hyrë në atë koalicion por do ta tregojë koha dhe votuesit”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Deri tani, kalimin nga pushteti në koalicion parazgjedhor me VMRO-DPMNE-në e ka konfirmuar vetëm Stojançe Angellov me partinë e tij “Dinjiteti” kurse partia opozitare tha se po bisedon mes tjerash edhe me “Të Bashkuar për Maqedoninë” të Lube Boshkovskit, me Lidhjen Demokratike të Pavle Trajanovit, por edhe me parti të tjera më të vogla në pushtet pa specifikuar se cilat. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button