Von der Leyen: Ukraina tashmë ka një perspektivë të qartë evropiane

Von der Leyen: Ukraina tashmë ka një perspektivë të qartë evropiane

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina tashmë ka një “perspektivë shumë të qartë evropiane” pas vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë statusin e vendit kandidat.

“Ukraina tani ka një perspektivë shumë të qartë evropiane. Dhe Ukraina është një vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian diçka që dukej pothuajse e paimagjinueshme vetëm pesë muaj më parë,” tha von der Leyen gjatë një fjalimi të mbajtur virtualisht në parlamentin ukrainas.

“Pra, sot është para së gjithash, një arsye për të festuar këtë moment historik, një fitore e vendosmërisë dhe një fitore për të gjithë lëvizjen që filloi tetë vjet më parë në Maidan,” shtoi ajo.
Megjithatë, presidentja e Komisionit Evropian u kërkoi zyrtarëve ukrainas të ecin përpara me reformat kundër korrupsionit.

“Ju keni krijuar një sistem mbresëlënës kundër korrupsionit”, u tha ajo deputetëve ukrainas. “Por tani këto institucione kanë nevojë për shtysë dhe për njerëzit e duhur në postet e larta.”
Fjalimi i Von der Leyen solli duartrokitje në parlamentin e Ukrainës dhe shihet si një sukses i qeverisë së Presidentit Volodymyr Zelensky mbi përpjekjet e tyre për t’u bërë kandidatë për anëtarësim në BE.

Ajo nënvizoi se Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së mbështesin Ukrainën në luftën e saj ndaj pushtimit rus dhe në përpjekjet për “tu ribashkuar me familjen evropiane.”

Von der Leyen i bëri thirrje parlamentit ukrainas që të votojë ligjet në përputhshmëri me normat e promovuara nga Këshilli i Evropës për të përmirësuar procedurat e përzgjedhjes të gjykatësve të pavarur të Gjykatës Kushtetuese.

“Institucionet duhet të funksionojnë në mënyrë që ato të përmbushin aspiratat e njerëzve”, deklaroi ajo.

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE, vetëm pesë ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në 24 shkurt, ndërsa 27 vendet anëtare pranuan t’i jepej statusi i kandidatit më 23 qershor, në një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj vendit.

Por procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë vite dhe kandidaturat e Turqisë dhe disa vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë ngecur ndërsa vendet perëndimore këmbëngulin për kritere të ashpra ekonomike dhe ligjore.

Von der Leyen vlerësoi Ukrainën që u bë partneri i vetëm i BE-së në Evropën Lindore “që ka miratuar një ligj për të luftuar kontrollin e oligarkëve në jetën ekonomike dhe politike të vendit”.
Javën e ardhshme, von der Leyen do të bashkohet me udhëheqësit ndërkombëtarë dhe ato ukrainas në Lugano, Zvicër në një konferencë për të mbledhur fonde dhe për të bërë plane për rindërtimin e pasluftës në Ukrainë.

“Rruga juaj evropiane dhe rindërtimi i vendit do të ecin paralelisht”, tha ajo.

“Ukraina do të jetë në qendër të kësaj konference. Investimet do të duhet të vijnë, por për të maksimizuar ndikimin e tyre dhe për të nxitur besimin e biznesit, investimet do të duhet të shoqërohen me një valë të re reformash.” përfundoi Von der Leyen./REL

LEXO EDHE:

Back to top button