Vonojnë projektet infrastrukturore të Qeverisë, autostradave për Ohër dhe Bllacë nuk u shihet fundi

Vonojnë projektet infrastrukturore të Qeverisë, autostradave për Ohër dhe Bllacë nuk u shihet fundi

Gazetar: Ile Petrevski

Qeveria ka shkelur të gjitha afatet që premtoi për përmirësimin e infrastrukturës në vend. Biznesi është i indinjuar për qasjen jo serioze të autoriteteve në lidhje me zgjidhjen e një prej problemeve kyçe të ekonomisë. Përqindja e lartë me të cilën mburret Qeveria për realizimin e projekteve kapitale nuk jep rezultate, thonë nga Oda Ekonomike. Ata sot për herë të dytë kërkuan përgjegjësi nga Qeveria për zvarritjen e projekteve të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore.

“Kërkojmë që të merret përgjegjësia për mosrealizimin e projekteve që janë vendimtare për ekonominë e Maqedonisë sepse ekonomia ka pritur shumë për përfundimin e tyre të plotë. Deri në vitin 2030 duhet të përmirësohet e gjithë infrastruktura, të modernizohen industritë për t’i bërë ato të qëndrueshme përmes rritjes së efikasitetit në përdorimin e burimeve”, tha Jelisaveta Georgieva Jovevska Oda Ekonomike.

Nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, që prej vitesh po ndihmon zhvillimin e vendit, thonë se analizat e tyre tregojnë se nevojiten urgjentisht përmirësime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, pasi kjo do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme të ekonomisë.

“Decentralizimi duhet të jetë një nga proceset kyçe të reformave në vend, sepse është thelbësore për krijimin e komunave më të përparuara që do të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët dhe të jenë partner i besueshëm i komunitetit të biznesit”, u shpreh Armen Grigoryan UNDP.

Në programin e qeverisë është përfshirë sërish hekurudha drejt Bullgarisë, një projekt i ngecur prej dekadash. Autostrada Kërçovë – Ohër dhe Shkup – Bllacë kanë vite që po zvarriten. Vonesa e projekteve të infrastrukturës rrugore është konstatuar edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për ecurinë e reformave të shtetit, ndërsa për zvarritjen e dinamikës së realizimit paralajmëruan edhe nga Enti Shtetëror i Revizionit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button