Votohen ndryshimet ligjore për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në ambiente të mbyllura

Votohen ndryshimet ligjore për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në ambiente të mbyllura

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Me një minutë heshtje për të nderuar viktimat nga tragjedia në Koçan, Kuvendi pas dy javësh pushim vazhdoi me punë. E pikërisht për shkak tragjedisë në Koçan, deputetët si nga pushteti ashtu nga opozita, njëzëri miratuan nevojën për ndryshime ligjore në ligjin për rend dhe qetësi publike. Duke arsyetuar ndryshimet ligjore, deputeti i VMRO-së, Toni Jarevski, njoftoi se disa nga gjobat do të dyfishohen.

“Me ligjin parashihen mekanizma dhe rregullore me çka për shkelësit rriten gjobat dyfish ndërsa për ato që i përsërisin shkeljet, parashihet madje edhe paraburgim. Duhet ta themi se me këtë ligj edhe policia do të ketë rritje të kompetencave për veprim dhe për parandalim të raste të tilla të ardhshme”, tha Toni Jarevski – VMRO-DPMNE.

Për kafe baret apo diskotekat që do të lejojnë prezencë të personave të mitur pas orës 24, gjobat momentalisht sillen nga 50 deri në 10,000 euro ndërsa me ndryshimet ligjore, gjoba më e vogël do të dhjetëfishohet, gjegjësisht do të lëvizin nga 500 deri në 10,000 euro, varësisht nëse bëhet fjalë për tregtarë të vegjël, të mesëm apo të mëdhenj.

Me ndryshimet ligjore, te neni 31 shtohet një paragraf tjetër 31-a, me çka me ligj ndalohet përdorimi i mjeteve piroteknike në hapësira të mbyllura. Për personat fizik që do të shkelin këtë ligj, do të shqiptohet gjoba prej 200 deri në 250 euro.

Për personin juridik, qoftë për diskoteka apo restorante, gjobat do të lëvizin nga 1000 deri në 10,000 euro varësisht nëse bëhet fjalë për tregtarë të vegjël apo të mëdhenj. Për të njëjtit, gjykata mund të shqiptojë sanksion ndalesë për kryerje të veprimtarisë në kohëzgjatje prej tre muaj deri në dy vjet.

Nga ana tjetër deputetët nuk mbështetën propozim ndryshimet ligjore të dorëzuara nga opozita. Nuk kaluan dy propozim ndryshimet ligjore të “Së Majtës” që pushimi i lindjes për gratë lehona nga 9 të bëhet në 18 muaj, si dhe pagesa e rrogave nga maksimumi më datën 15, të paguhet më datën 5. Nuk u pranua as propozim ligji i LSDM-së për rritje të pagës minimale, pa ndryshuar shuma e pagesës së kontributeve./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button