Vrasja e katërfishtë në Kosovë, Prokuroria: Nuk janë përfshirë persona të tjerë

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka deklaruar se në tragjedinë e familjes Zuka nga Pozherani i Vitisë nuk janë përfshirë persona të tjerë.

Kryeprokurori Arben Kadriu, bën me dije se çifti dyshohet se kishin nisur procedurat për divorc, teksa thekson se familjarë të tjerë nuk ishin në dijeni se ata kishin probleme, shkruajnë mediat në Kosovë.

Kujtojmë se një natë para Vitit të Ri, kryefamiljari, Fetah Zuka, 45 vjeç, i mori jetën bashkëshorte dhe dy djemtë e tyre, 23 e 18 vjeç, Hamdiun e Arbërin.

Familja kishte nënshtetësi zvicërane, ndërsa në Kosovë ishin kthyer për festat e fundvitit.

Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, Arben Kadriu, tha banesa është gjetur me gjak, si pasojë e vrasjes së tre personave, ndërsa akti i vetëvrasjes është filmuar nga kamerat e sigurisë së shtëpisë.

“Janë kamerat e sigurisë, e kanë kap imazhin e hyrjes në shtëpi dhe daljes. Nuk ka dyshime se janë të involvuar persona të tjerë në ngjarje. I zoti i shtëpisë dyshohet se i ka kryer vrasjet dhe aktin e vetëvrasjes. Akti i vetëvrasjes është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Shtëpia nga brenda ka qenë krejt gjak”, tha Kadriu, shkruajnë mediat në Kosovë.

Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë dhe vetëvrasje”, ndërsa Komuna e Vitisë e kishte shpallur një ditë zie për shkak të ngjarjes që tronditi vendin.

LEXO EDHE:

Back to top button