Vrasja në Veles/ OJQ-të kërkojnë përgjegjësi, paralajmërojnë protesta para MPB-së dhe Kuvendit

Vrasja në Veles/ OJQ-të kërkojnë përgjegjësi, paralajmërojnë protesta para MPB-së dhe Kuvendit

Gazetare: Ajnur Bafqari

Dhimbja për vrasjen e Rosicës nga Velesi po kthehet në revoltë. Organizatat joqeveritare kanë paralajmëruar protesta para MPB-së dhe bllokime të parkut përballë Kuvendit në Shkup, duke kërkuar përgjegjësi institucionale.

“Të dalin njerëzit në rrugë, aty ku dhunuesit ecin të lirë, ndërsa gratë kanë frikë për jetën e tyre,” thonë organizatorët.

“Femicidit që i paraprin dhuna në familje apo nga partneri, po rritet ndër vite, ndërsa rasti i fundit është edhe një dëshmi për çmimin që e paguajnë gratë dhe të afërmit e tyre, e bashkë me to edhe e gjithë shoqëria, kur policia, prokuroria, gjykatat dhe qendrat për punë sociale nuk veprojnë në mënyrë kompetente sipas ligjeve dhe protokolleve për mbrojtje. Vrasja e Rosicës dhe të gjitha grave që janë vrarë në mënyrë brutale nga partnerët e tanishëm apo të mëparshëm, mundej dhe duhej të pengohej”, njoftojnë nga Organizatat Joqeveritare.

Opozitarja LSDM kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski dhe drejtuesve të SPB-së në Veles. Ata thonë se rasti është një porosi se sistemi ka dështuar, dhe në raste të tilla, kërkojnë ndryshime rrënjësore.

“Gruaja disa herë ka kërkuar mbrojtje, ka denoncuar kërcënime, dhunë, vjedhje, sipas disa mediave mbi 70 herë. Policia e ka ditur, shërbimet sociale e kanë ditur, institucionet, s’kanë lëvizur me gisht”, thonë nga LSDM.

Nga Komiteti i Helsinkit thonë se kanë informacione për së paku 4 vajza që kanë denoncuar Ilija Stevanovskin, i vetëvrarë, në polici, që nga viti 2013 e këtej. Nga atje thonë se Rosica ishte kapaku, por Ilija ka kërcënuar, ndjekur, keqtrajtuar edhe 3 ish partnere të tjera, në momentin që ato kanë dashur të shkëpusin lidhjet me të.

Juristja Ana Avramova, në emisionin Gjurmët në Alsat, theksoi se mos ndëshkueshmëria, niveli i ulët i sanksionit, apo dënimi me kusht, mund të jenë mbështetje për kryerësit që ata të përsërisin veprën.

“Nuk do të thoja se gjykatësit nuk dënojnë, apo nuk shqiptojnë sanksione penale kompetente, por se ato janë shumë të buta. Veçanërisht në rastet ku trajtohet dhuna familjare, dënimi me kusht është disi shumë e zakonshme…Kjo nënkupton se ne tërë kohën, këta dhunues, në këtë rast tashmë edhe vrasës i kemi në liri, shëtisin të lirë nëpër rrugë dhe munden në çdo moment ta rrezikojnë jetën e saj apo jetën e më të afërmve të saj, siç ishte rasti me Rosicën dhe babain e saj”, deklaroi Ana Avramovska, Juriste.

Emri i Ilija Stefanoskit, që vrau ish partneren, babain e saj, e më pas edhe veten kishte kaluar disa herë nëpër duart e drejtësisë. Ai më herët ishte shpallur fajtor për kërcënime dhe dhunë ndaj ish partneres, por gjykata i kishte shqiptuar vetëm dënim me kusht. Viktima kishte denoncuar disa herë edhe për shkelje të vendimeve gjyqësore, mesazhe kërcënuese, ndjekje pranë shtëpisë e madje edhe djegie të makinës së babait të saj. Por, pavarësisht dosjes së tillë, makthi i viktimës përfundoi tragjikisht me dy jetë të shuara dhe vdekjen e autorit. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button