Këshilltarët/ Lënda javën e ardhshme në kushtetuese

Këshilltarët/ Lënda javën e ardhshme në kushtetuese

Gazetar: Suad Bajrami

Javën e ardhshme Gjykata Kushtetuese do t’i shqyrtojë iniciativat që kontestojnë vendimin qeveritar për ndryshimin e numrit të këshilltarëve në 17 komuna duke u bazuar në rezultatet e regjistrimit të vitit 2021, ku sipas të cilave në 3 komuna ka rritje të popullatës rezidente, ndërsa në 14 të tjera ka rënie.

Gjykatësit kushtetues në seancën e 24 shtatorit do të kenë në rend dite lëndën e cila përbëhet nga 3 iniciativa të dorëzuar nga Skender Rexhepi, Kenan Ali, por edhe deputetët Salih Murat dhe Blerim Bexheti.

Parashtruesit kontestojnë vlerësojnë se vendimi për të ndryshuar numrin e këshilltarëve ka mbetur pa bazë ligjore dhe është në kundërshtim me praktikën kushtetuese dhe parimet e sigurisë juridike pasi që Gjykata Kushtetuese më 26 qershor të këtij viti miratoi vendim që shfuqizoi disa pjesë të Metodologjisë për Regjistrimin e Popullatës, apo praktikisht shfuqizoi kategorizimin e popullatës në rezident dhe jorezident.

Sipas vendimit të Qeverisë të miratuar më 24 shtator të viti të kaluar, në 17 komuna ka ndryshim të numrit të popullatës. Në tre prej tyre, respektivisht në Studeniçan, Karposh dhe Kisella Vodë në këto zgjedhje parashikohet nga 4 këshilltarë më shumë. Megjithatë, në 13 komuna do të ketë rënie të këshilltarëve. Më së shumti vërehet rënie te Gostivari e cila prej 31 sa ka pasur paraprakisht, tani do të ketë tetë këshilltarë më pak respektivisht 23. Në 9 komuna vërehet rënie prej 4 këshilltarë, respektivisht në Kërçovë, Kratovë, Kriva Pallankë, Strugë, Vrapçisht, Zhelinë, Jegunovcë, Novo Sellë dhe Tearcë. Rënie prej 2 këshilltarë do të ketë në 4 komuna, edhe atë në Debërc, Kumanovë, Pehçevë dhe Qendër Zhupë.

Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të merr Gjykata Kushtetuese dhe nëse i njëjti do të ketë impakt ndaj zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 19 tetor.

Lënda për numrin e këshilltarëve është një patate tjetër e nxehtë në duart e kushtetueses sa i përket temës së zgjedhjeve. Dje, gjyqtarët kushtetues me shumicë votash hodhën poshtë iniciativën që kontestonte Rregulloren e miratuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, me të cilën u lejua që kandidatët e pavarur në këto zgjedhje lokale të marrin pjesë në zgjedhje me vetëm dy nënshkrime. Vendimit i parapriu një debat, kryesisht i përqendruar rreth çështjes së kompetencës së KSHZ-së, megjithatë u vu re, se gjyqtarët ishin të disponuar për të marrë parasysh rrethanën kohore, kur vetëm kanë filluar veprimet zgjedhore. Gjyqtarët, në mënyrë të kujdesshme vunë në theks përgjegjësinë e tyre për të parandaluar implikime eventuale në procesin zgjedhor, nga vendimi i tyre./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button