Vuçiç thotë që Serbia po forcon industrinë e mbrojtjes

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën se investimet në zhvillimin dhe forcimin e industrisë së mbrojtjes në Serbi do të vazhdojnë.

- Advertisements -

Vuçiq i bëri komentet në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Armëve dhe Pajisjeve Ushtarake “Partner 2021”, në Beograd.

“Në botën e interesave nuk ka mëshirë për të dobëtit, por respekt për të fortët, andaj është e rëndësishme të zhvillojmë industrinë e mbrojtjes”, tha Vuçiq, për të shtuar se vendi i tij “nuk mund të poshtërohet e as rrezikohet”.

“Është e rëndësishme të konkurrojmë me fuqitë e mëdha në promovimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, është e rëndësishme të ndërtojmë rrugën tonë edhe në këtë çështje dhe t’i zgjedhim ato fusha në të cilat mund të konkurrojmë, sepse nuk mundemi në të gjitha”, tha Vuçiq.

I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë se si i komenton kritikat e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së për blerjen e armëve nga Rusia dhe Kina, Vuçiq tha se Serbia merr vendime në mënyrë autonome dhe se është krenare për këtë.

Vendimet janë marrë “në interes të Serbisë”, tha ai.

Në panairin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, i cili po mbahet paralelisht me samitin e Lëvizjes së të Painkuadruarve në Beograd, po prezantohen sisteme të artilerisë dhe raketave, armë të vogla dhe municione, automjete të blinduara luftarake, pajisje elektronike, radarë të rinj dhe anije patrulluese.

Në hapjen e panairit morën pjesë përfaqësues të disa delegacioneve të huaja, ndërsa ekspozuesit janë nga 16 vende, përfshirë: Kinën, Austrinë, Kanadanë, Francën dhe Gjermaninë.

 

LEXO EDHE:

Back to top button