Vuçiq në takim me serbët e Kosovës: Jemi me ju

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vizituar të mërkurën qytetin e Rashkës, ku është takuar me përfaqësues politikë serbë nga Kosova.

- Advertisements -

Takimi është mbajtur në kazermën lokale, ndërsa të pranishmit kanë përfshirë zyrtarë të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, por edhe përfaqësues të ushtrisë së Serbisë, si dhe qytetarë serbë nga Kosova.

Këta të fundit, siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, kanë folur për shqetësimet e tyre, kanë kërkuar mbrojtje nga Serbia, ndërsa shqiptarët i kanë quajtur me emra fyes.

“Kam frikë se kemi dikë që është krejtësisht joracional në Prishtinë. Kemi edhe disa keqdashës në bashkësinë ndërkombëtare, të cilët sinqerisht duan konflikte edhe këtu, dhe duan të na fusin në konflikt. Sigurisht, unë do të doja të ruanim paqen, por nuk kemi zgjidhje”, ka thënë Vuçiq.

“Unë nuk mund t’ju ftoj të hyni në konflikt me askënd. Çfarëdo që të ndodhë, Serbia dhe Beogradi do të jenë me ju. Këtë nuk po e them për formalitet. Ata që më njohin e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”, ka shtuar Vuçiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se nëse diçka e tillë ndodh edhe një herë, do të ketë një rezistencë të përgjithshme të popullit serb.

“Nëse diçka e tillë ndodh herën tjetër, ne do të bëjmë rezistencë të përgjithshme. Çfarë do të thotë kjo dhe sido që e kuptoni ju, president. Ne do të mbrohemi me gjithçka që kemi në dispozicion”, ka thënë Rakiq në takim.

Vuçiq u ka thënë të pranishmëve se nëse është e nevojshme ai do të qëndrojë gjithë natën në Rashkë dhe ka shtuar se ai dëshiron që të dëgjojë mendimet e të gjithë të ftuarve.

“Ne do t’i zgjidhim të gjitha keqkuptimet”, ka deklaruar Vuçiq, duke iu drejtuar të mbledhurve.

“Unë nuk do të flas për atë se sa ishim në vitin 1961 dhe se si ramë nga 27 në 11 për qind. Unë nuk do të kaloj nëpër zgjidhje të këqija nga viti 1999, heshtje në pogrom në 2004, ose në 2008, kur Kosova, kur Prishtina shpalli pavarësinë”, ka thënë Vuçiq.

Mes tjerash, ai ka thënë se e di se çfarë mendojnë njerëzit e zakonshëm.

“Tetë vjet po kërkojmë të drejtat tona dhe po shohim se cilat janë rezultatet. Kështu që unë e kuptoj pakënaqësinë. Tani na ka mbetur vetëm mosbindja civile dhe largimi nga të gjitha institucioneve të Kosovës”, ka thënë një nga përfaqësuesit e serbëve, i pranishëm, në takim.

Përveç Vuçiqit, në takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, ai i Mbrojtjes, Nebojsha Stafanoviq si dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Në takim, disa qytetarë nuk kanë qenë të kënaqur me reagimin e Serbisë dhe zyrtarëve të saj dhe e kanë ndërprerë tubimin.

Vuçiq ka kërkuar nga të pranishmit në këtë takim të qetësohen pasi ata filluan të akuzojnë njëri-tjetrin.

LEXO EDHE:

Back to top button