Xhaçka: Ballkani Perëndimor, të jetë në fokus të Aleancës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të Ministrave të Punëve të Jashtme, takim ky i cili po zhvillohet në Riga, Letoni, me pjesëmarrjen e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në ndërhyrjen e saj, Ministrja për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, nënvizoi rëndësinë e veçantë të integrimit të plotë Euroatlantik.

Ajo bëri thirrje që Ballkani Perëndimor të jetë në fokus të Konceptit Strategjik të NATO-s. “Rajoni i detyrohet shumë ndërhyrjes së NATO-s. Por sot, ka ardhur koha që të shkohet një hap më përpara duke e përfshirë Ballkanin Perëndimor në Konceptin Strategjik 2022, duke çuar njëkohësisht një sinjal të fortë kundër të gjithë atyre fuqive që po përpiqen të sabotojnë integrimin euroatlantik, duke nxitur dasi e destabilitet përmes taktikave hibride”, tha mes të tjerash, ministrja Olta Xhaçka.

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve aleate, trajtuan çështje me rëndësi për sigurinë euroatlantike, duke bërë një vlerësim të mjedisit të sigurisë, përfshirë situatën në kufijtë e Polonisë, Lituanisë, Letonisë me Bjellorusinë. Ministrat aleatë trajtuan, gjithashtu, dhe përforcimet ushtarake Rusisë në dhe përreth Ukrainës.

Vizita e ministres Xhaçka në Letoni, vjen pas Forumit të Gjashtë të Unionit të Mesdheut që u mbajt në Barcelonë, në fillim të kësaj jave.

Sot pasdite, kryediplomatja shqiptare do të udhëtojë drejt Suedisë, ku do të mbahet Ministeriali i 28-të i Këshillit të OSBE-së.

LEXO EDHE:

Back to top button