Zaniolo drejt Premier Ligës, Roma gjen shpejt zëvëndësimin

Marrëdhënia mes Nikolo Zaniolos dhe klubit të Romës është totalisht e “krisur” dhe nga jashtë duket e pariparueshme. Sulmuesi është me një “këmbë” jashtë klubit verdhekuq, teksa në kryeqytet janë në pritje të ofertës së duhur nga ana e Totenhamit apo edhe Uest Ham për t’i prerë më pas një biletë pa kthim 23-vjeçarit.

Nga ana tjetër, drejtuesit italianë nuk po qëndrojnë “duarkryq” pasi iu duhet ta zëvendësojnë Zaniolon për t’i dhuruar alternativa në sulm trajnerit Hoze Murinjos. I preferuari i romanëve është Zherard Delofeu. Spanjolli e njeh mirë kampionatin italian pasi prej 2017-tës fillimisht me Milanin, e më pas në vijim me disa periudha pauze në mes, luan në nivelin maksimal italian.

Aktualisht, 28-vjeçari është pjesë e Udineses, klub me të cilin ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2024. Mirëpo, te Roma janë besimplotë se me një ofertë që arrin deri në 10 milionë euro mund të bindin friulianët të lënë të lirë një nga lojtarët më të rëndësishëm të organikës së tyre.

Këtë sezon, Delofeu është aktivizuar në 15 ndeshje të Serisë A për Udinesen duke shënuar dy gola, ndërsa ka asistuar në gjashtë raste. Pikërisht, shërbimi për të tjerët është edhe pika e fortë e anësorit teksa te Roma e shohin si të duhurin për ta vendosur së bashku me Dibalan, pas shpinës së britanikut Abraham.

LEXO EDHE:

Back to top button