Zbardhja e rastit “Alfa”, vetëm premtim i pushtetit

Asnjë hap nuk është marr në drejtim të zbardhjes së rastit “Alfa” për të cilin dënimin me burg të përjetshëm tash e 13 vite po e vuan Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës. Gjykata e Apelit ka rekomanduar kthimin e rastit në rigjykim, por mendimi shkallës së dytë vazhdon të mos merret në konsideratë nga Këshilli Penal i Gjykatës Themelore. Mbrojtja ka kërkuar edhe zbardhjen e video incizimit e publikuar vite më parë, por kërkesa e tyre nuk merret në konsideratë me arsyetimin se shteti nuk posedon mundësi teknike për ta zbardhur një dëshmi të tillë materiale. Byroja për ekspertizë ligjore nuk ka sjell asnjë mendim, ndërsa Gjykata në bazë të detyrës zyrtare i është drejtuar edhe MPB-së. Kërkesa e mbrojtjes përfshinë analizë antropologjike dhe fotogrametrike, analizë e cila vërteton objektin e studimit përmes ADN-së, krahasimit të elementeve të studimit dhe përshtatjen e objekteve rrethuese. Rigjykimin e rastit “Alfa” e aktualizoi zëvendëskryeministri për Sistem Politik, Artan Grubi.

“Ne në marrëveshje politike me partnerin tonë LSDM-në kemi rishqyrtim të rasteve të cilat kanë ndjellë pabesë ndaj gjyqësorit siç është rasti Sopoti, Alfa, Almiri, Monstra dhe Lagja e Trimave”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër për Sistem Politik.

Grubi na drejtoi në Ministrinë e Drejtësisë. Ky dikaster sot nuk kishte përgjigje nëse po mban premtimin e Qeverisë dhe po realizon programin për zbardhjen e rasteve të montuara, ashtu siç parashikohet në programin e ekzekutivit për këtë mandat.

“Qeveria do të angazhohet për zbardhjen e ngjarjeve të Kumanovës në vitin 2015, gjetjen e iniciatorëve dhe prapavijën e gjithë ngjarjes. Do të kërkojmë edhe ndihmë ndërkombëtare në hetim për të siguruar të gjitha informacionet relevante. Ministria përkatëse do të jep ndihmë logjisike në procedurat për rastin “Sopoti”, “Brodeci”, “Vdekja e Martin Neshkovskit”, “Nikolla Mlladenov” dhe “Monstra”, thuhet n; programin e Qeverisë.

Në Drejtësi gjendet edhe drafti i ligjit i cili parashikon zbardhjen e mbi 50 rasteve të montuara gjyqësore, por i njëjti akoma nuk ka marr mendim dhe nuk është analizuar nga grupet e punës. Alsat mëson për një dispozitë të bazuar në “goditjen jashtëzakonshme juridike” e cila hap rrugën që rastet e montuara të adresohen në Supreme dhe më pas deri në Strasburg. Familjes Qerimi tashmë disa vite partitë politike i premtojnë zbardhjen e rastit “Alfa” dhe lirimin e Rexhail Qerimit. Madje në zgjedhje e fundit parlamentare LSDM-ja hapi shtabin e parë zgjedhorë në fshatin Opajë ku prezent ishte edhe kryeministri Zoran Zaev dhe kishte premtuar zbardhjen e rastit “Alfa” bashkë me rastet tjera të montuara me motive politike.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button