Koalicioni ASH-AAA promovuan platformën “shtetësia.mk”

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa shpalosën platformën shtetesia.mk përmes të cilës do t’i dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve të cilët nuk gëzojnë shtetësi. Platforma e partive opozitare të cilat muajin e kaluar propozuan plotësimin e Ligjit për shtetësi ka për qëllim detektimin e të gjithë qytetarëve pa shtetësi dhe ofrimin e ndihmës juridike ndaj tyre. Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela thotë se çdo politikan i përfaqësuar në Kuvend i cili ka pak ndërgjegje duhet ta mbështesë këtë ligj.

Ju e keni vërejtur fatkeqësisht gjithë atë rezistencë ndaj ligjit i cili është i drejtë, është i njerëzishëm. Çdo politikan i cili ka pak ndërgjegje, që i ka ngel pak njeri brenda vetes që janë të përfaqësuar në Parlament nuk duhet të kenë asnjë dilemë. Duhet ta përkrahin dhe votojnë këtë ligj -tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

Sipas liderit të partisë Alternativa, Afrim Gashi shteti këtë qasje e bën me qëllim që të mos rritet numri i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.

Problemi është shumë evident. Kemi një qasje shtetërore ku shteti mundohet t’i shpall njerëzit të rrezikshëm me qëllim që të mos e rrit numrin e shqiptare. Ligji për shtetësi dhe regjistrimi ndërlidhet shumë dhe ne si shtet nëse nuk lirohemi nga numrat dhe përmes tyre mundohemi ta majorizojmë dhe përvetësojmë shtetin, është qasje e gabuar – u shpreh Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.

Propozimi i opozitës nuk u mbështet nga pushteti. Ministria e Brendshme në mendimin e saj hodhi poshtë dispozitat e propozuara duke i cilësuar si të pabaza. Qeveria paralajmëroi ligj të ri, por i njëjti sipas Oliver Spasovskit do të propozohet vetëm kur të jetë i gati.

Kur të jetë i gatshëm -u përgjigj shkurt Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Kuvendi akoma nuk e ka proceduar propozimin e opozitës, ndërsa koalicioni ASH-AAA ka vendosur bojkotimin e koordinimeve me kreun e Kuvendit deri në vendosjen e propozimit në rend dite. Partitë parlamentare janë shprehur të ndara ndaj propozimit të opozitës. BDI-ja ka paralajmëruar se do të mbështesë ligjin për shtetësi, por njëkohësisht edhe propozimin e Qeverisë. Nga LSDM thonë se janë kundër propozimit aktual dhe se për dispozitat e propozuara duhet konsensus. VMRO-DPMNE-ja dhe partia E Majta janë kategorik kundër tekstit të propozuar.

Adrian Kerimi

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button