Zbehen shpresat për çeljen e bisedimeve në dhjetor

Gjithnjë e më shumë po zbehen shpresat se Maqedonia do t’i fillojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian në dhjetor. Sot, Zëvendës Kryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov tha se është e mundur të mos mbahet konferenca ndërqeveritare me BE-në, e cila do të nënkuptonte fillimin e negociatave.

“Absolutisht në këtë moment nuk mund të përjashtohet, se nuk do të ketë konferencë ndërqeveritare deri në fund të këtij viti, megjithatë, nëse arsyeja për këtë është gjuha maqedonase, unë jam plotësisht në rregull me këtë- deklaroi Nikolla Dimitrov – Zëvendës Kryeministër për Çështjet Evropiane.

 Edhe kryeministri Zoran Zaev pak ditë më parë tha se nëse Bullgaria qëndron në kërkesat e saja, atëherë njerëzit duhet të përgatiten që konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në të mos fillojë.

Dimitrov kujtoi se vendimi për të filluar negociatat me Maqedoninë ishte e pakushtëzuar, dhe Bullgaria me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë u zotua të ndihmojë vendin në rrugën evropiane. Ai tha se letërnjoftimi i vendit tashmë është kompletuar në Kombet e Bashkuara, gjuha është përcaktuar atje dhe se askush nuk ka bazë ligjore për të ndërhyrë në këtë çështje. Megjithatë Dimitrov thotë se Maqedonia vazhdon me përpjekjet maksimale për të gjetur mirëkuptim me fqinjin e saj.

“Në korniza dhe për çështjet për të cilat është i mundur një mirëkuptim . Kjo sigurisht nuk përfshin identitetin dhe gjuhën maqedonase- pohoi . Nikola Dimitrov – Zëvendës Kryeministër për Çështjet Evropiane.

 Ai beson se nuk do të arrihet sukses, nëse kjo çështje shndërrohet në betejë midis një vendi anëtar dhe një vendi kandidat për anëtarësim, dhe për këtë arsye komunikimi me Bashkimin Evropian është intensiv. Për të, Berlini ka ambicie të mëdha, që procesi të ketë sukses. Ai kujtoi qëndrimin e shprehur publikisht të kancelares gjermane Angela Merkel, se një nga prioritetet më të mëdha të presidencës gjermane me BE-në është fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut, dhe nëse plotësohen kushtet, atëherë edhe me Shqipërinë.

Në këtë kontekst, Zëvendës Kryeministri Bullgar Krasimir Karakaçanov thotë se Bullgaria është nën presion diplomatik nga Gjermania.

“Disa maqedonas besojnë se gjermanët dhe disa vende të tjera evropiane do të na bëjnë presion, dhe ne do të pajtohemi pa kushte t’i mbështesim ata. Ata po na bëjnë presion, ky është një fakt. Sidoqoftë, Bullgaria ka dinjitetin e vet dhe është një shtet sovran. “Ne jemi nën presion diplomatik- tha Krasimir Karakaçanov – Zëvendës Kryeministër i Mbrojtjes i R. Bullgarisë .

 Përndryshe, Zëvendës Kryeministri Dimitrov nuk konsideron se puna e deritashme e Komisionit të përbashkët Maqedono-Bullgar, për Çështjet Historike është e pasuksesshme, duke theksuar se në historinë Evropiane ka shembuj në të cilët komisione të ngjashme kanë punuar për dekada.

 

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button