Zelensky akuzon Rusinë dhe Putinin: Dëshirojnë të përsërisin fatkeqësinë Çernobilit

Gazetar: Adrian Kerimi

Forcat ruse kanë okupuar centralin bërthamor Zhaporizhzhia në jug të Ukrainës, i cili njëherësh përbën edhe impiantin më të madh në Evropë. Në orën 2 pas mesnate janë dëgjuar detonimet e para, veprim ky i ushtrisë ruse i cili ka ngritur alarmin ndërkombëtar për një tragjedi të paktën dhjetë herë më të madhe se ajo e Çernobilit, shkruan Alsat.

Si pasojë e sulmeve, ka disa të vdekur dhe dhjetëra të lënduar, njofton Ministria e Jashtme e Ukrainës. Inspektorati nuklear i Ukrainës ka njoftuar se në qendrën bërthamore janë dëmtuar vetëm objekte për rreth, ndërsa nuk janë regjistruar dëmtime në gjashtë reaktorët sa posedon ky central.

“Kompleksi më i madh nuklear i Evropës u përfshi nga flakët. Rusët qëllimisht hapën zjarr drejt 6 reaktorëve të tij duke përdorur tanke të pajisura me imazhe termike. Krahasuar me katastrofën globale të Çernobilit në 1986, pasojat e një shkrirjeje në Zaporizhzhia do të ishin shumë më të rënda. Po pati shpërthim këtu, merr fund gjithçka, merr fund Evropa”, deklaroi Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.

Kreu i qytetit Energodar, Dmytro Orlov ku edhe ndodhet impianti bërthamor i Zhaporizhzhias deklaroi se pavarësisht ndërprerjes së granatimeve, situata në këtë qytet vazhdon të mbetet e rëndë.

“Bombardimet janë ndalë, zjarri është shuar por situata vazhdon të mbetet e rëndë. Mbrëmë kaluar një natë pa ngrohje, pa ujë dhe pa rrymë. Ekipet po punojnë për riparimin. Nga granatimet ka persona të lënduar të cilët ndodheshin në vendin e tyre të punës ose në afërsi të centralit”, tha Dmytro Orlov, Kryetar i Energodarit.

Presidenti rus, Vladimir Putin kërkoi nga vendet e Evropës perëndimore që t’i kthejnë në normalitet marrëdhëniet me Rusinë. Ai ka shtuar se ndaj fqinjëve të tij, duke iu referuar Ukrainës nuk ka qëllim të keq, ndërsa lidhur me sanksionet ka bërë të ditur se një gjë e tillë mund të përkeqëson edhe më keq situatën.

“Do t’i këshilloja që të mos e përshkallëzojnë situatën, të mos vendosin asnjë lloj kufizime. Po i kryejmë të gjitha obligimet tona dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë. Nuk po e shoh të nevojshme përshkallëzimin e situatës dhe prishjen e marrëdhënieve tona”, deklaroi Vladimir Putin, President i Rusisë

 Konvoji rus i cili prej ditësh qëndron në periferi të Kievit, sipas inteligjencës amerikane ka ngecur pa derivate dhe për këtë arsye nuk ka arritur të avancojë në drejtim të kryeqytetit ukrainas. Ndërkohë është përkeqësuar situata në qytetet lindore dhe jug-lindore të Ukrainës. Mairupoli ka kaluar një mbrëmje nën breshëri të predhave dhe municionit të rënë, ndërsa kreu i qytetit i ka bërë thirrje NATO-s zyrtarisht për ndërhyrje urgjente. Në Zhytomyr është shkatërruar totalisht një shkollë, ndërsa janë bombarduar edhe objekte tjera të rëndësisë së veçantë si spitale, çerdhe, kishte dhe depo ushqimore. Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë në raportin ditorë njofton se numri i pushtuesve në vrarë siç i referohen ata ushtarëve rus, ka shkuar në 9.200 ndërsa janë shkatërruar edhe makineri luftarake, helikopter, avion luftarak, tanke dhe raketahedhës. Në ditën të pushtimit, Rusia ka arritur të futë nën kontroll qytetin e Khersonit ndërsa ka avancuar në Kharkiv, Mariupol dhe Zhytomyr. Gjatë 9 ditëve pushtim, presidenti ukrainas Zelensky i ka mbijetuar të paktën 3 atentateve./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button