Zelensky: Rusia po pëson humbje të mëdha në fron

Zelensky: Rusia po pëson humbje të mëdha në fron

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ushtria ukrainase i ka shkaktuar humbje të mëdha forcave ruse që sulmuan qytezën Vuhledar në pjesën lindore të vendit.

Ai e përshkroi situatën në rajonin e Donbasit si “shumë të vështirë”.

Forcat ukrainase po tentojnë ta zmbrapsin një ofensivë ruse në rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës, përderisa është në pritje të furnizimeve të reja me armatim nga shtetet perëndimore.

“Situata është shumë e komplikuar atje. Dhe ne po luftojmë. Ne jemi duke i përçarë forcat pushtuese dhe po i shkaktojmë humbje jashtëzakonisht të ndjeshme Rusisë”, tha Zelensky.

Ai shtoi se beson që sa më shumë humbje që t’i shkaktohen Rusisë në rajonin e Donbasit, “aq më shpejt do të mundemi ta përfundojmë këtë luftë me fitore të Ukrainës”.

Ushtria ruse ka qenë nën presion për të korrur suksese shkaku i përvjetorit të parë të nisjes së luftës më 24 shkurt. Por, sipas raportit ditor të Ministrisë britanike të Mbrojtjes, nëse ofensiva ruse dështon të shënojë suksese, atëherë mund të ketë tensione brenda lidershipit rus.

Sipas këtij raporti të së hënës, dy brigada “elitare” ruse kanë pësuar humbje të mëdha në qytezën e Vuhledarit në lindje të Ukrainës dhe tani janë “ushtarakisht të padobishme”.

Ndërkohë, Zelensky ka kundërshtuar homologun e tij francez, Emmanuel Macron, i cili tha se duhet të lihet dera e hapur për dialog për paqe me liderin rus, Vladimir Putin.

“Ky do të jetë një dialog i padobishëm. E vërteta është se Macron po e humb kohën e vet. Unë kam ardhur në përfundimin që ne nuk jemi në pozicion për të ndryshuar sjelljen e Rusisë”, tha Zelensky në një deklaratë për gazetën Corriere della Sera.

LEXO EDHE:

Back to top button