Zemaj: Kosova ka aplikuar për vaksinë në COVAX

Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, tha se Kosova, më 7 dhjetor, ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19.

- Advertisment -

Në një konferencë për media në Prishtinë, Zemaj tha se dozat fillimisht do të jenë të mjaftueshme për 20 për qind të popullsisë.

COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit edhe në vende më të varfra.

Zemaj tha se kanë filluar kontaktet dhe negociatat edhe me kompani të tjera, por nuk e saktësoi se cilat janë ato.

“Duke ruajtur konfidencialitetin e kërkuar, nuk kemi mundur që në ketë fazë t’i paraqesim format ekzakte të negocimit dhe rrugëve të sigurimit të kësaj vaksine“, tha Zemaj.

Një ditë më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila para disa ditësh ka arritur në Serbi.

Të shtunën, Qeveria në detyrë e Kosovës tha se nuk ka asnjë të dhënë nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, se në Kosovë kanë hyrë vaksina kundër sëmundjes COVID-19.

Zemaj foli edhe për punën gjashtëmuajshe të Qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti në menaxhim të pandemisë.

Ai tha se nga pjesa e alokuar buxhetore, që ishte rreth 56 milionë euro, janë shpenzuar mbi 45 milionë.

LEXO EDHE:

Back to top button