Zendeli: Kuvendi ka mekanizma për të zbardhur të vërtetat e tragjedive
Zendeli: Kuvendi ka mekanizma për të zbardhur të vërtetat e tragjedive
Gazetare: Ajnur Bafqari
Ish nënkryetari i Kuvendit, Fadil Zendeli tha se misioni i komisioneve anketuese në Kuvend është zbardhja e ngjarjeve të ndryshme për të cilat opinioni është i shqetësuar. Ai gjatë intervistës në Alsat tha se mungesa e rezultateve nga këto komisione, sjell mosbesim të qytetarëve ndaj institucioneve publike, konkretisht ndaj Kuvendit. Ai vlerëson se Kuvendi megjithatë duhet të ketë kujdes dhe të mos përzihet në hetimet që kryhen nga institucionet e drejtësisë.
“Komisionet anketuese e kanë pikërisht këtë mision të mund të bëjnë zbardhjen e ngjarjeve të ndryshme për të cilën opinioni publik në vend është i shqetësuar. Rasti i Koçanit, rasti me spitalin modular në Tetovë, rasti Sopotit, Almiri, domethënë shumë raste të tjera të cilat ne i kemi pas në historinë tonë të parlamentarizmit, për të cilat fatkeqësisht nuk ka pas, ose ka munguar formimi i këtyre komisioneve, ose edhe kur janë formuar nuk kanë treguar, nuk kanë dëshmuar ndonjë sukses. Për shkak të këtyre dallimeve politike që janë, por ndoshta edhe për shkak të kulturës politike që i kemi”, deklaroi Fadil Zendeli, ish nënkryetar i Kuvendit.
Zendeli foli edhe për ndryshimet e fundit të Kodit Penal, pasojat e së cilave siç tha sot e sot i shohim.
“Qeverisja e asaj kohe LSDM me BDI-në e sollën për shkak që të amnistojnë bartës të funksioneve publike që realisht kishin fut duar në krim dhe korrupsion dhe tash pasojat e atij ndryshimi të Kodit Penal i shohim edhe në ditët e sotme. Unë mendoj se është urgjente të sillet një kod i ri i cili do të pamundësonte shkelësit e veprave penale, veçanërisht bartësit e funksioneve që të mos mund t’i shmangen përgjegjësisë dhe të vijmë në një situatë siç e konstatuat edhe ju, të kemi pandëshkueshmëri të tyre”, tha Fadil Zendeli, ish nënkryetar i Kuvendit.
Sipas Zendelit, partitë politike në raport me komisionet anketuese gjithmonë kanë treguar qasje varësisht interesave të tyre politike. /Alsat.mk









