Zgjedhjet në Shqipëri, beteja për Tiranën, mes Veliajt e Këlliçit

Zgjedhjet në Shqipëri, beteja për Tiranën, mes Veliajt e Këlliçit

Beteja kryesore e zgjedhjeve në Shqipëri do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërkaq, PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon. Kandidati i PS-së për Tiranën Veliaj tha se është shumë e rëndësishme dalja për të votuar. Ai u shpreh se është shumë e rëndësishme që secili të dëgjohet dhe “vendimmarrja pastaj të na udhëheq”.

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ftoi të gjithë qytetarët që të dalin dhe të votojnë masivisht. Këlliçi, duke iu drejtuar të rinjve, tha se largimi nuk është zgjidhje prandaj duhet të dalin dhe të votojnë për të rikthyer shpresën.
Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën Roland Bejko tha se sot është dita që qytetarët të refuzojnë kapjen e tregut të Tiranës nga krimi i organizuar e oligarkia.

“Gjithmonë duhet të prevalojë e drejta e qytetarëve për të votuar dhe për tu shprehur sesa e drejta e teknologjisë kokëfortë apo në një ditë me re për të transmetuar të dhëna. Kështu që, prevalvojë kjo e drejtë. Ftesa për të gjithë qytetarët që mund të jenë dekurajuar sidomos për ata që janë më të mëdhenj në moshë e që kanë dalë qysh në orën 7 të mëngjesit edhe nuk kanë pasur mundësi të votojnë është të kthehen në qendrat e votimit. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të dalim të votojmë për të ardhmen, të votojmë për fëmijët tanë…Janë fatet e qytetit për katër vitet e ardhshme, janë fatet e fëmijëve tanë, janë projektet e qytetit në lojë dhe në pikëpyetje dhe kështu që, shumë, shumë e rëndësishme që secili të dëgjohet dhe vendimmarrja pastaj të na udhëheq”, u shpreh Erion Veliaj, Kandidat i PS-së për Tiranën.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të shkojnë sot në qendrat e tyre të votimit për të kryer detyrën e tyre si qytetar për të votuar. Ftoj të gjithë të rinjtë, të gjithë ata mijëra e mijëra qytetarë që në këto 5 muaj kam takuar duke shtrënguar duart, duke i parë në sy dhe duke folur për ndryshimin. Sot është dita e madhe, sot është 14 maji që kemi pritur aq shumë të gjithë, është dita kur kemi në dorë fatet e këtij qyteti dhe ndryshimin e keni vetë në duar. Deri tani përpos disa gjërave të vogla teknike, procesi është duke shkuar normalisht. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve dilni votoni masivisht. Sot është një ditë feste. Sot është dita e dita e ndryshimit, dilni dhe votoni”, tha Belind Këlliçi, Kandidat i opozitës për Tiranën.

“Është rasti sot që nëse qytetarët janë të mërzitur nga klasa e vjetër politike, nga fakti që Tirana ka rënë në duar të një pakice, të cilët menaxhojnë gjithë fondet publike të Tiranës, menaxhojnë pronat, qytetarët e Tiranës të shprehen kundër tyre. Nëse qytetarët e Tiranës e shikojnë se krimi i organizuar ka kriminalizuar ekonominë e Tiranës, derisa janë bindur për ato që kemi thënë gjatë fushatës elektorale, sot është dita që ta refuzojnë pikërisht kapjen e tregut të Tiranës nga krimi i organizuar nga oligarkia politike dhe nga oligarkia financiare”, tha Roland Bejko, Kandidat i PD-së për Tiranën. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button